Lëvizja Vetëvendosje organizoi në Gjakovë një tribunë me qytetarë, me temën “Populli s’pranon Zajednicë”, ku u përsëriten qëndrimet për rrezikun dhe pasojat që do t’i ketë Kosova nga krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Albin Kurti tha se Asociacioni është pasojë e dialogut pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.
“Ka trysni që Kosova fillimisht ta pranojë Gjykatën Speciale e tash edhe ‘Zajednicën’ e Serbisë brenda territorit të saj. ‘Zajednica’ është një parashtet paralel i krijuar prej strukturave paralele të Serbisë dhe ky është rezultati i dialogut pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, dialog ky i cili nuk integron serbët në Kosovë, por i integron strukturat e Serbisë në ‘Zajednicë’”, tha Kurti.
Sipas tij, me ‘Zajednicën’ do të bëhet ajo që gjithnjë ka dashur Serbia.
“‘Zajednica’ është më shumë se kanton, më shumë se shumësi kantonesh. Tash për tash është më pak se shtet, mirëpo edhe Kosova po bëhet siç e deshi Serbia, më shumë se autonomi më pak se pavarësi. Republika e Kosovës me ‘Zajednicë’ nuk është e pavarur”, tha Kurti.
Ndërkaq kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se shumica e qytetarëve të Kosovës nuk e pranojnë Asociacionin e komunave serbe.
“Deri tash nuk kam takuar asnjë shqiptar të Kosovës që e do ‘Zajednicën’, por i kam takuar dy-tre persona. Këta dy- tre apo katër- pesë persona i kemi dëgjuar në televizion që thonë se ‘Zajednica’ e forcon shtetin është në përputhje me ligjet shtetërore, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Emrat besoj i dini të gjithë, por unë dua t’i përmend edhe një herë. Këta janë: Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe disa ministra e këshilltarë të tyre. Por, këta janë pakicë dhe është mirë që janë pakicë dhe duhet me mbetë gjithnjë pakicë”, tha Ymeri.
Në tribunë kanë folur edhe nënkryetarët Driton Çaushi e Aida Dërguti, raporton Kosovapress.
















