Pavarësisht se kohët e fundit ka shënuar një rritje të lehtë të eksportit të mallrave në tregjet e huaja, Kosova vazhdon të ketë një deficit të lartë tregtar me botën, pasi ka shënuar rritje edhe importi.
Eksporti e mbulon importin vetëm 12 për qind. Për futjen e mallrave në tregun tonë prin Serbia, me mbi 200 milionë euro, pastaj vijnë Gjermania me 170 milionë dhe Turqia, Kina dhe Italia eksportet e të cilave në Kosovë i kalojnë shifrën 100 milionë euro.
Ndër produktet më të importuara janë derivatet e naftës, duhani, automjetet, mishi, etj. Ndërsa, vendi ynë gjatë këtij viti ka eksportuar më së shumti metale bazë me vlerë prej 55 milionë eurosh, produkte minerare me 19 milionë dhe produktet ushqimore me 8 milionë euro.
Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, siç transmeton KP, thonë se nëse bilanci tregtar me botën vazhdon me këtë ritëm, Kosovës i duhen edhe 50 vjet për ta balancuar bilancin tregtar negativ.
Bizneset private kërkojnë veprime nga pushteti një revulicion të politikave fiskale, ekonomike dhe financiare, për të rritur eksportin e produkteve të tyre.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për KosovaPress se eksportet në vlerë monetare shënuar rritje rreth 30 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Faktikisht për shtatë muajt e parë të këtij viti, prej janarit deri në fund të korrikut, ne kemi pasur një rritje të lehtë të peshës dhe vlerës së importit. Kjo rritje mund të quhet rritje jodomethënëse, po ashtu, edhe në përqindje është mjaft e ulët. Kurse një faktor tjetër mjaft i mirë është rritja e eksporteve në vlerë monetare për afërsisht mbi 30 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014”, ka thënë ai.
Zyrtarë të Doganës thonë se te importet kryesisht prijnë derivatet e naftës, jo vetëm për këtë vit por që nga themelimi i doganës që është bërë evidentimi i statistikave, derivatet e naftës, duhani dhe automjetet janë importet të cilat sjellin më së shumti të hyra për buxhetin e Kosovës, mirëpo në anën tjetër edhe janë produktet për të cilat edhe shpenzohet më së shumti.
“Nëse shikohet sipas vlerës të mbi 100 milionë euro prej vende që ne importojmë, prinë Serbia me mbi 200 milionë euro eksporte drejt Kosovës, pastaj Gjermania me mbi 170 milionë euro, pastaj Turqia, Kina dhe Italia të cilat eksporti i tyre drejt Kosovës e kalon shifrën mbi 100 milionë euro. Këto janë pesë vendet nga të cilat kosovarët blejnë më së shumti”, ka deklaruar Stavileci.
Në aspektin e eksportit, janë tri grupe të produkteve në të cilat bëjnë pjesë metalet, mbetjet e metaleve të cilat eksportohen kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni. Gjithashtu, pjesë e eksportit bëjnë pjesë edhe produkteve ushqimore si dhe produktet minerare.
Ndërsa, përfaqësues të komunitetit të bizneseve thonë Qeveria e Kosovës duhet që të kalojë nga vëzhgimi dhe nga konstatimi në veprim për bërë reforma revulicionare, për perspektivë në prodhim, investime të huaja dhe për rritjen e buxhetit të Kosovës, duke i ofruar qytetarit edhe më shumë mirëqenie sociale.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahinim ka thënë se Kosovës i duhen edhe 50 vjet për të ardhur në 50 për qindëshin e uljes së importit të produkteve të gatshme.
“Në trendin aktual, i cili është duke u reformuar politika dhe duke u zhvillua ekonomia e vendit dhe balancet negative tregtare që Kosova aktualisht ka që nga pas lufta e këndej, neve na duhen edhe 50 vjet që me këtë trend të ecim për të ardhur në 50 për qindëshin e uljes së importit të produkteve të gatshme”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se Kosova nuk do të mund të ecë përpara, nëse institucionet shtetërore nuk krijojnë një partneritet të qëndrueshëm me sektorin privat, sidomos me atë të prodhues. Sipas tij, përparësia e Kosovës është shumë e madhe, duke u nisur në resurset dhe potenciali që ka.
Kreu i AKB-së ka thënë gjithashtu se çdoherë kanë tentuar të ngrisin vetëdijen e konsumatorëve dhe institucioneve për të mbështetur ekonominë dhe prodhimin e vendit.
“Ne si Aleancë e Biznesit vazhdimisht kemi tentuar dhe po tentojmë që të ndritim vetëdijen qytetarëve dhe institucioneve për të mbështetur ekonominë dhe prodhimin e vendit në mënyrë që të zëvendësohet importi i cili është më i larti në regjion dhe eksporti i parave të gatshme më i madhi prapë në regjion për produktet e gatshme”, ka theksuar ai.
Shahini ka thënë se Kosova ka nevojë për një reformë revulicionare të politikave fiskale ekonomike dhe financiare në mënyrë që të zëvendësohet importi me prodhim vendi, të rriten mundësitë dhe fuqia për eksport, sepse edhe raporti i progresit dhe raporti i Bankës Botërore tregon se fuqia konkurruese e prodhuesve vendor në tregjet e bashkimit evropian mbetet i dobët për shkak të politikave të zbatueshme të këqija që i k a Kosovë.
Sipas tij, edhe pas 16 viteve të pasluftës ende rreth 90 për qind Kosova varet nga importi i produkteve të gatshme e që dikur Kosova ka mundur dhe ka qenë një vend prodhues.
Shahini ka treguar se Serbia është lider i eksportit në Kosovë dhe se vitin e kaluar e ka lënë prapa edhe Gjermaninë.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka deklaruar për KosovaPress se debalancet tregtare janë shkas i politikave fiskale të cilat vendi i zbaton dhe këto politika nuk janë aspak në favor të sektorit prodhues.
“Disbalanci me të cilin përballemi ne si shtet… është rezultat i politikave fiskale të cilat vendi ynë ka zbatuar në masë të madhe gjatë viteve të fundit. Politikat fiskale nuk kanë qenë aspak në favor të sektorit të prodhimtarisë dhe rrjedhimisht kemi ardhur në këtë situatë kur pothuajse importojmë gjithçka nga artikujt të cilët nuk prodhohen në vendin tonë deri te artikujt të cilët prodhohen dhe për të cilat besoj se kemi kapacitete të mjaftueshme që të mbulojmë nevojat e tregut vendor”, ka thënë Zeka.
Ai ka thënë se beson që arsye kryesore pse Serbia është importuesi më i madh, është sepse Kosova vazhdon të importoi më së shumti produkte nga Serbia dhe, siç ka thënë ai, nuk ka as një arsye tjetër përveç afërsisë gjeografike dhe lehtësisë së depërtimit të mallrave nga prodhuesit serb në tregun kosovar.
Zeka ka treguar se vitet e fundit kanë parë një rritje të eksportit të produkteve kosovare në vendet e tjera. Sipas tij, kjo mund t’i referohet ngritjes së cilësisë së produkteve të caktuara të cilat prodhohen në vendin tonë.
Kreu i OEAK, ka thënë se, përveç kësaj, prodhuesit kanë bërë edhe një përvojë po edhe kanë arritur që të standardizojnë këto produkte, duke u certifikuar me standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë.
Sipas tij, prodhuesit tanë kanë punuar edhe në ngritjen e cilësisë, meqenëse, në fund të fundit, është konsumatori ai që përcakton dhe cili produkt do të ketë shitje më së shumti.
Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një deficit tregtar më të larët për muajin qershor 2015 prej 207,5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 188,6 milionë eurosh në periudhën e njëjtët të vitit 2014. Eksporti mbulon importin 12.8%. Eksporti i mallrave kishte vlerën 30,4 milionë euro, ndërsa importi 238,0 milionë, është një rritje e eksportit prej 12.1%, si edhe një rritje e importit për 10.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Lidhur me eksportin dhe importin e mallrave në Kosovë, sipas ASK-së, partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së të cilat marrin pjesë me 34.8% në eksport dhe 42.5% në import, ndërsa vendet e CE FTA-së marrin pjesë me 40.9% në eksport dhe 29.8% në import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Përqindja më e lartë e eksportit të mallrave kosovarë është regjistruar në Shqipëri, me 14.1%, pastaj vijnë Serbia me 11.3%, Maqedonia me 11.0%, Belgjika me 9.5%, Italia me 8.8%, India me 7.8% etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Serbia zë vendin e parë për emport të mallrave në Kosovë, me 13.6%, e pasaj sak vijnë Gjermania me 11.5%, Turqia me 9.5, Kina me 9.3%, Italia me 8.3%, Shqipëria me 6.8%, Maqedonia me 6.1% etj.
















