Lex Barker ka qenë një nga aktorët më të famshëm amerikan, i njohur sidomos për rolin e Tarzanit. Por ajo që e bën më atraktiv për opinionin artdashës shqiptar është fakti që ky aktor i madh, në mesin e viteve ’60-a e vizitoi Kosovën. Nuk erdhi si turist, por erdhi me punë. Më 1964, në Kosovë, gjegjësisht në Pejë e rrethinë, por edhe në Deçan e Rugovë, ishte realizuar një film mjaft i suksesshëm gjerman, “Der Schut”. Leks Barker kishte ardhur për ta luajtur rolin kryesor në këtë film, atë të Kara Ben Nemsit.
Këtyre ditëve në rrjetet sociale në Kosovë, përkatësisht në një grup që përmban fotografi të vjetra nga Kosova, janë postuar disa fotografi nga skenat e incizimit të filmit, ku shihen shumë burra me plisa e veshje tradicionale shqiptare. Shihen qartë skena të xhiruara rrugëve të Pejës e rrethinës, por edhe rrugëve të Deçanit e Rugovës.
Sapunxhiu: Filmi u bë në Pejë me statistë vendorë
“Unë kam shumë pak të dhëna të sakta për atë kohë, sepse isha i vogël, pak më shumë se 10 vjeç. Më kujtohet kur në oborrin e Patrikanës së Pejës është ngritur një kamp për ekipin e filmit,” rrëfen për “Zërin” Luan Sapunxhiu, profesori i kitarës pranë shkollës së muzikës “Halit Kasapolli”, në Pejë. Më tej, profesor Sapunxhiu na tha se “ka në Pejë nga gjeneratat më të vjetra se unë persona që kanë marrë pjesë si statistë në film. Mua më kujtohet një plak markant me flokë të zbardhura që kohë pas kohe shëtiste edhe përmes lagjes time me kuaj të bukur e që ishin pjesë e filmit”. Ndër statistët që iu kujtohet bashkëqytetarëve të Sapunxhiut, Qemajl Sanejës dhe Emin Tabakut, ka qenë Shaban Krasniqi, asokohe boksier i njohur, i cili ka kohë që jeton në SHBA, si dhe i ndjeri Shaban Meha, të cilin e përshkruajnë si shumë të hijshëm, për ç’arsye rinia asaj kohe e quante “Tony Curtis”.
Profesori i kitarës, Luan Sapunxhiu, po ashtu na shpjegoi se “skenat e filmit janë xhiruar në Pejë, Rugovë, Deçan, Ulqin dhe më duket se ka pasur edhe skena në Prizren”, duke shtuar se ka edhe nga shokët e tij që banojnë afër tregut dhe që iu kujtohen skena të ndryshme nga filmi, si p.sh. skena kur Schuti, Lex Barker, lufton me ariun – skenë kjo e xhiruar në Pejë. “Kur e kemi parë filmin (ndoshta disa herë) kishte nga ata që në skena të caktuara e njihnin vendin apo ndonjë shok nëpër skena të ndryshme,” na tha për fund profesor Sapunxhiu, duke specifikuar se shumë nga skenat janë xhiruar në “Namazgjah” të Pejës, afër “Hamamit” dhe “Hamam-xhamisë”.
Sapunxhiu prononcimin e tij për “Zërin” e përmbylli, duke na sqaruar se disa nga skenat e enterierit janë realizuar në shtëpinë Muharrem-Miki Pashës , ish-drejtor i hotel “Dukagjinit”, pasardhës i Jashar Pashës dhe Haxhi Zekës, kurse “gjithashtu është xhiruar edhe në kullën e Haxhi Zekës, derisa bashkëpunëtor në përzgjedhjen e ambienteve ka qenë aktori ynë i njohur, Istref Begolli, përndryshe familjarisht i afërm me Miki Pashën që e përmenda më lart”, përfundoi Sapunxhiu.
Nga të dhënat që siguruam, “Der Schut” – që në shqip mund të përkthehet si “I verdhi” – është një film i bazuar në librin e Karl Mayit, i realizuar nga regjisori gjermano-amerikan, Robert Siodmak, më 1964. Premiera botërore e filmit u dha më 20 gusht 1964, në Hamburg të Gjermanisë. “Der Schut” cilësohet si i pari film i bazuar tek Karl May në vitet ’60-a me tematikë nga Orienti dhe njëherësh paraqet të vetmin film me motive orientale, muzikën e së cilës e ka kompozuar Martin Böttcher. Sa i përket radhitjes së librave me temë nga Orienti të autorit May, “Der Schut” mund të llogaritet si i dyti, pas “Durch die Wüste”, realizuar më 1936, si dhe i parafundit, para “Durchs wilde Kurdistan”, realizuar më 1965.
Ngjarja e “Der Schut” – siç ndodh edhe me narracionin tek novela e Karl Mayit – ndodh diku në Lindjen e Afërt apo në Ballkan, asokohe pjesë e Perandorisë Osmanë. Personazhet kryesore janë Kara Ben Nemsi, miku i tij, Haxhi Halef Omari, biznesmeni francez, Henry Galingré dhe “kopuku i pamëshirshëm,” Schut-i.
Taraku: Kjo ka qenë e zakonshme për kohën
Në anën tjetër regjisori i njohur i filmit, Selami Taraku, i cili edhe vjen nga Peja tha se i kujtohet shumë pak xhirimi i këtij filmi, sepse aso kohe ka qenë rreth 13 vjeç, por që e mban mend se asokohe në Pejë është folur shumë për këtë ngjarje, duke e parë si një ngjarje të rrallë për një qytet siç ishte asokohe Peja dhe rrethina e saj. “Mbaj mend vetëm segmente-segmente. E di që ka pasur statistë, por nuk më kujtohet konkretisht se kush dhe si ka qenë statist, por e di që ka pasur. Madje, as filmin s’kam pasur rast ta shoh më pas. Jo që nuk më ka interesuar, por realisht s’e kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë,” tha regjisori Taraku për “Zërin”, duke u ndalur më shumë në rëndësinë e xhirimit të këtij filmi në Kosovë.
“Ndonëse s’ka qenë film i ndonjë superniveli, prapëseprapë ka qenë interesante që një film gjerman të xhirohej në Kosovë. Për të thënë të drejtën, nuk është që asokohe kjo ka ndodhur vetëm në Kosovë, por ka qenë një fenomen në tërë Jugosllavinë, ku në Dalmaci, Beograd, etj., kanë qenë studio gjigante që kanë shërbyer për realizimin e filmave amerikanë”, tha Taraku, duke shpjeguar leverdinë e dyanshme, ku të huajve i konvenonte, pasi që ishte më e lirë edhe sjellja e teknikës edhe gjetja e statistëve, kurse jugosllavëve i konvenonte pasi që paskëtaj realizatorët e huaj nuk e merrnin mbrapa teknikën. Por, sipas tij, më pas, për amerikanët dhe perëndimorët, në këtë aspekt, Polonia, Hungaria, e vendet e tjera lindore u bënë treg më atraktiv për xhirime. Krejt për fund, Selami Taraku na tha se në këto filma të huaj që realizoheshin në Kosovë nuk kishim vetëm statistë vendas, por edhe kaskaderë lokalë.


















