Nga Andi Thomaj
Me kalimin e viteve klasa politike shqiptare e bën akoma dhe më të qartë se ajo çfarë po ndërton në Shqipëri s’është gjë tjetër veçse një sistem parazitizmi, një kancer që shpërhapet me shpejtësi dhe s’kursen askënd. Ky sistem parazitar që është në latimet e tij të fundit, synon të shtrihet në çdo nivel të jetës së qytetarit shqiptar, duke e bërë atë pjesë të tij. Në gjithë këtë mishmash politik ku vota ideologjike është luks dhe arritje e largët për vendin tonë, lulëzon pashpresa masive në vlerat që e bëjnë një njeri qytetar të rregullt të një vendi. Me këtë shkrim të shkurtër, unë shpreh pakënaqësinë time ndaj klasës politike shqiptare, por edhe ndaj atyre që munden ta ndryshojnë këtë vend dhe s’gjejnë guximin të bashkohen.
Jam student dhe banoj prej 5 vitesh në Tiranë, ku prindërit e mi kanë blerë me djersën e emigracionit një hyrje në një pallat për një jetë më të mirë në kryeqytet, pasi Greqia ku ishim emigrantë hyri në krizë. Të jetosh në Shqipëri dhe të kesh mundësi të bësh krahasime midis vendeve është një jetesë psikologjikisht e mundimshme. Në Athinë ku banoja me prindërit, protestat bëheshin nga të rinjtë që mbushnin rrugët dhe përplaseshin me forcat e rendit, ndërsa këtu bëhen nga pensionistët dhe militantët e partive. Mos më paragjykoni kur them se përplaseshin me forcat e rendit, ajo për të cilën po flas është elementi i rebelimit ndaj shtypjes, vlerë shpirtërore kjo që vështirë se e gjen në vendin tonë. Të përligjemi duke thënë se s’kemi shumë që kemi dalë nga një periudhë torturuese komunizmi është qesharake, pasi rinia shqiptare s’ka asnjë lidhje me të kaluarën komuniste, gjeneratat të pas ‘90-s s’kanë asnjë pikë takimi me periudhën totalitare. Ose kur dëgjoj se populli shqiptar është i vuajtur; populli shqiptar ka qenë i vuajtur, sot një pjesë e madhe e popullsisë janë të rinj duke na renditur në moshat më të reja në Europë. Rinia shqiptare as që ja ka idenë vuajtjeve dhe torturave të së kaluarës së errët. Brezat e sotëm janë të i-Phone-ve, të kafeneve dhe të organizatave jofitimprurëse me natyrë politike ku shumë prej tyre bëjnë pjesë, pa harruar frustrimin e jashtëzakonshëm që kaploi gjithë të rinjtë në zgjedhjet vendore për t’u aktivizuar me partitë.
Kur eci rrugës për në fakultet shoh fytyra të lodhura dhe të mërzitura nga politika në Shqipëri; shoh të rinj të pashpresë për të zënë vende pune pasi të mbarojnë Bachelorin dhe si alternativë të vetme kanë dyert e partive. Një rini e ardhmja e secilës varet nga parazitizmi i klasës politike është një rini e pashpresë, e dështuar, pjesë e së cilës jam edhe vet. Ne e ndjejmë nevojën për ndryshim, për alternativa të reja, për një të ardhme siç na takon dhe jo siç mendojnë ata se na takon, por s’kemi guximin të bëjmë hapa jashtë vetes, jashtë kufijve të betonizuar të vetes sonë të mjerë dhe përshtirosëse. Ne jemi rini dështake. Aq të mjerë jemi, saqë e ndjejmë veten në një anije që po përmbytet dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar është të guxosh të notosh për një tokë të re apo të korruptosh mbajtësit e barkave të shpëtimit.
Klasa politike prej vitesh po krijon një sistem parazitar që gllabëron çdo dritë shprese që lind në vendin tonë duke krijuar iluzionin se ka vetëm një alternativë për të mbijetuar në këtë sistem, të bashkuarit me parazitizmin. Kjo është alternativa e vetme që na ofron klasa politike shqiptare. Nëse e pranon do mbijetosh, përkundrazi do përbuzesh dhe torturohesh nga idiotët e politikës gjersa të vijë momenti i shumëpritur të largohesh nga ky vend.
Në të vërtetë është indiferenca jonë ndaj politikës ajo që na ka sjellë këtu ku jemi. Është moskokëçarja ndaj shqetësimeve të realitetit shqiptar që na mban si gozhdë në të njëjtin vend për vite me radhë. Diku kam lexuar se nëse nuk merresh me politikë, merret politika me ty, ashtu siç është marrë me të gjithë ne duke na gënjyer dhe tallur haptazi. Në politikë gjen njerëzit më injorantë dhe të trashë, idiotët më perfekt në Tokë dhe ekzistenca e tyre në politikë është faji i të gjithëve ne. Nëse nuk merremi me politikë – ashtu siç duhet marrë, me dinjitet, vlera dhe vizion për vendin tonë; dhe jo të bëhemi një me baltën e saj – jemi të dënuar të qeverisemi nga njerëz më të ulët se vetja.
Për të përfunduar më lejoni t’ju them se në këto zgjedhje vendore isha vëzhgues i pavarur dhe gjatë gjithë procesit zgjedhor kuptova shumë gjëra me rëndësi. Kuptova se të votosh në një vend pa alternativa është si të mos votosh. Kuptova se problem nuk janë standardet e zgjedhjeve, por ata që zgjedhim dhe mbështesim. Kuptova se e vetmja mënyrë për të ndryshuar vendin tonë, që aq shumë e duam dhe e urrejmë në të njëjtën kohë, është përmes një lëvizjeje të re politike, të sinqertë dhe të udhëhequr nga të rinjtë shqiptarë, me vizion dhe vullnet për ta dashur më mirë vendin tonë. Të arratisesh apo të luftosh? – këto janë alternativat.
















