Kancelarja gjermane Angela Merkel, nxit të gjithë të gjejnë një zgjidhje dhe thotë: “Nëse dështon euro, dështon edhe Europa, – thotë gruaja më e fuqishme e kontinentit. – Europa duhet të jetë në gjendje të gjejë një kompromis përballë çdo sfide.”. Por pastaj Merkel shton në një konferencë shtypi në Berlin: “Duhet të konstatojmë që një vullnet për një kompromis të tillë nuk ekzistonte. Për këtë është shpallur edhe referendumi. Pa kompromie Europa dështon dhe këtë nuk e duam”.
Kreu i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker është shprehur se ndihet i tradhtuar nga egoizmi i treguar nga qeveria greke në dështimin e negociatave për borxhin.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Juncker tha më tej se bëri gjithçka për ta lehtësuar arritjen e marrëveshjes, por propozimet e grekëve ishin vonuar apo ndryshuar në mënyrë të qëllimshme.
Juncker tha me tej se pavarësisht vendimit të qeverisë greke, qytetarët duhet të jenë në dijeni të asaj çfarë rrezikojnë nga ky hap.
“Përpjekjet tona u thyen nga thirrja për referendum dhe fushata për t’i thënë jo kësaj marrëveshjeje. Qytetarët grekë që do të votojnë të dielën e ardhshme duhet të kenë një pamje të qartë të asaj çfarë ndodh. Unë kam bërë gjithçka munda, të gjithë bëmë gjithçka mundëm dhe nuk meritojmë kriticizmin”, tha kreu i KE.
















