Janë pesë vepra me të cilat Besa Llugiqi do të përballet me 173 artistët më të mirë të botës.
Sopranoja nga Kosova është përzgjedhur në mesin e mbi tre mijë artistëve të performojë në Amsterdam në kuadër të edicionit të 34-të të “International Hans Gabor Belvedere Competition”.
“Traviata”dhe “Ernani” të kompozitorit Verdi, “Rusalka” nga Dvorak, “Lisa” e Tchaikovsky-t, dhe “Ana Bolena” e Donizzeti-t, janë veprat, të cilat Llugiqi do t’i interpretojë më 29 ose 30 qershor, varësisht si e caktojnë organizatorët e garës, pasi në këto dy ditë do të interpretojnë të gjithë pjesëmarrësit.
Për konkursin, audicionet e të cilit janë mbajtur në 59 qendra të ndryshme të botës, Besa Llugiqi thotë se është konkursi më serioz i garave të karakterit operistik.
“Unë jam përzgjedhur të jem në mesin e 174 artistëve. Sa jam e informuar, kam qenë e vetmja që kam kaluar në njërën prej qendrave ku kam konkurruar”, ka thënë Llugiqi për “Zërin”, duke shtuar se tani janë në një garë më të ngushtë, janë në fazat finale të konkursit.
“Është një vlerësim jashtëzakonisht i madh që të jem në mesin e këngëtarëve më të mirë në botë”, ka thënë sopranoja, duke treguar se juria nga e cila vlerësohen është tejet profesionale.
“Anëtarët e saj janë drejtorë artistikë të të gjitha teatrove operistike të ndryshme të botës”, ka treguar Besa Llugiqi për jurinë në përbërje të John M. Mordler, David Agler, Peter Alward, Dmitrij Bertman, Jesús Iglesias Noriega, Peter Katona, Christoph Meyer, Hein Mulders, Björn Peters, Christina Scheppelmann, Christoph Seuferle, Alard von Rohr, Michael Williams dhe Diane Zola.
Llugiqi thotë se përgjegjësia në këtë garë është shumë e madhe.
“Jam në përgatitje e sipër të veprave që do të performoj. Shpresoj që do të jap maksimumin”, është shprehur artistja, e cila thotë se ka mundësi që të shkojë edhe më tuje, por për të përzgjedhja deri në këtë fazë ka qenë jashtëzakonisht me vlerë.
“Unë do të paraqitem me “Traviata” dhe “Ernani” të Verdi-t, “Rusalka” nga Dvorak-ut, “Lisa” e Tchaikovsky-t, dhe “Ana Bolena” e Donizzeti-t”, ka treguar Besa, derisa thotë se performanca e radhës është edhe faza eliminuese.
“Janë pesë arie që unë i performoj atje, të cilat i kam përzgjedhur dhe i kam punuar jashtëzakonisht shumë këtu në Sofje”, ka thënë Besa Llugiqi, e cila është e mendimit se veprat që do t’i interpretojë janë vepra adekuate për këtë garë, “Janë mjaft efektive dhe jashtëzakonisht të vështira teknikisht për t’u interpretuar. Po shpresoj që do të jenë efektive edhe tek juria”, ka treguar ajo, duke thënë se kur aplikon është një listë e arieve obligative. Kështu, dy arie duhet të jenë obliguese, tri të tjerat janë zgjedhje e artistëve.
“Ato që janë obliguese unë veç i kam punuar. Domethënë, në listën e veprave me arie, për të mos thënë se të gjitha që i kam kënduar janë aty dhe janë ariet më të njohura që interpretohen nga një soprano”, ka thënë Llugiqi, duke treguar se veprat e përzgjedhura nga ajo janë “Rusalka”, “Traviata” dhe “Ana Bolena”.
Artistja Llugiqi, e cila është duke u përgatitur për një tjetër performancë, thotë se për performancën në Amsterdam është duke ushtuar katër orë në ditë.
“Plani im është që para se të shkoj në Amsterdam të ushtroj dy orë paradite dhe dy orë pasdite, meqë zëri nuk e toleron një preson të madh të interpretimit”, ka thënë Besa Llugiqi, sipas së cilës mjafton të jesh në kondicion dhe të kalohen ariet çdo ditë, të kesh kondicionin në maksimum që të performosh edhe atje.
“Pjesëmarrja në këtë garë është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Është njëra nga garat, ku janë të pranishëm të gjithë drejtorët artistikë nga të gjitha teatrot operistike të botës, kështu që është jashtëzakonisht mirë”, është shprehur sopranoja për garën që do të ketë edhe jurinë e medieve dhe atë të agjentëve.
“Secili prej tyre na dëgjon dhe mundohet të vlerësojë dhe të marrë atë që i konvenon”, ka thënë Besa Llugiqi, duke shtuar se për të është jashtëzakonisht mirë që zëri i saj të dëgjohet.
“Kam mundësinë që të dëgjohem nga njerëz jashtëzakonisht të rëndësishëm, gjë që nuk vjen gjithmonë dhe mandej çfarëdo që të ndodhë le të ndodhë, për të vazhduar tutje dhe për të pasur mundësi që të depërtoj edhe jashtë vendit”, është shprehur Llugiqi, sipas së cilës, kjo është mundësia më e mirë për një këngëtar.
“Të mos them se disa këngëtarë, që unë kam bashkëpunuar në Sofje, kanë mbërritur të këndojnë në skena të mëdha përmes këtij konkursi, vetëm pse kanë qenë pjesë e tij dhe i kanë dëgjuar, imagjino po të fitosh, që mund t’i ndodhë secilit aty”, ka thënë Besa Llugiqi, duke shtuar se gjithmonë ka shumë më shumë mundësi për të eksploruar skena të ndryshme botërore, por mjafton prezenca si e përzgjedhur në mesin e këtyre këngëtarëve, të jesh aty dhe të dëgjojnë të tjerët.
“Kështu që, gjithmonë ka një ftesë, ka një angazhim, një pëlqim nga të tjerët që të ftojnë të bashkëpunosh me një projekt ose me një operë”, është shprehur Llugiqi, për paraqitjen në “International Hans Gabor Belvedere Competition”, ku çmimet kryesore që ndahen nga juria permanente janë: Çmimi i parë: 7.000 euro, Çmimi i dytë 3.500 euro, Çmimi i tretë: 2.500 euro, Çmimi i audiencës 2.000 euro dhe Çmimi i Jurisë së medieve ndërkombëtare 1.500 euro.




















