Tre anëtarë të një familje u vranë mbrëmë rreth mesnatës në pragun e shtëpisë, në Thumanë. Tre persona të armatosur qëlluan Fran dhe Arben Cekun, 70 dhe 44 vjeç, nipin e tyre Enea Rama 18 dhe Luçie Cekun, bashkëshorten e Franit. Gruaja mundi të mbijetojë. Vrasësit janë identifikuar si vëllezërit Daniel, Besnik e Pëllumb Kora, nga Thumana.
Ngjarja
Dy nga vëllezërit Kora, Danieli e Besniku janë grindur fillimisht me 44 –vjeçarin Ceku në lokalin e xhaxhait të tij që gjendej pranë shtëpisë. Një gindje banale, siç thonë disa fqinj të tyre. Vëllezërit kanë marrë një automatik dhe kanë qëlluar mbi Arben Cekun, duke e lënë të vdekur në vend. Krismat janë dëgjuar nga babai i viktimës, i cili ka shkuar menjëherë drejt lokalit. Është pritur nga dy vëllezërit me breshëri kallashnikovi. Edhe ai mbetet i vdekur në vend. Në këto çaste besohet se ka mbërritur edhe vëllai tjetër i vrasësve, Pëllumbi dhe babai i tyre, Gurali Kora. Ata kanë qenë prezent kur nipi i dy viktimave, Enea Rama ka mbërritur në vendin ku ishin të vrarë gjyshi dhe dajo i tij. E kanë vrarë edhe atë. Më pas kanë qëlluar edhe gruan 65 –vjeçare. Duke menduar se e kanë lënë të vdekur, janë larguar.
Mbi 200 forca policie gjenden në Thumanë dhe janë vënë në kërkim të vrasësve. Burime të policisë thonë se ata janë të armatosur dhe paraqesin rrezikshmëri. Dy nga vëllezërit janë me precedentë penalë.















