“Jemi gati, dhe le ta dinë të gjithë, secili që guxon të provokojë ndonjë situatë të pakëndshme në Serbi, se do të përballet me gjithë Serbinë – me ushtrinë dhe policinë serbe”.
Kështu ka thënë Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, gjatë vizitës që ka bërë sot (e hënë) në një prej bazave ushtarake në Jug të Serbisë, përgjatë vijës kufitare me Kosovën, raporton B92.
Gjatë fjalimit para ushtarëve serbë, ai ka thënë se “ushtria serbe është mjaftueshëm e fortë dhe e gatshme për t’iu kundërvënë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj shtetit serb” dhe se “detyrë kryesore e ushtarëve është të kujdeset për sigurinë“ në zonën kufitare me Kosovën.
Ai i ka paralajmëruar ushtarët se ata mund të sulmohen në çdo moment, edhe pse është kohë paqeje.
“Pasi që kemi punë me terrorizmin, i cili nga Kosova kalon në Maqedoni dhe pasi që e dimë se cilat janë planet e politikës që e organizon atë, ushtrisë dhe xhandarmerisë u kemi thënë qartë se janë në paqe, por që të sillet sikur të jenë në luftë, sepse siguria kurrë nuk është e tepërt”, ka thënë Nikoliq.
Por ai e ka cilësuar me rëndësi të veçantë bashkëpunimin me KFOR-in dhe me forcat tjera ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
“Ata vazhdojnë ta përsërisin se numri i forcave të tyre nuk duhet të zvogëlohet, sepse për një moment, Ballkani mund të kthehet në një zonë lufte të përgjakshme”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar forcave ndërkombëtare të sigurisë.
Nikoliq, i cili ishte i veshur me uniformën e ushtrisë serbe, shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Gjenerali Lubisha Dikoviq.
Ai e ka ndjekur nga afër një stërvitje të ushtarëve serbë dhe është informuar për situatën aktuale të sigurisë dhe për kushtet e jetës dhe punës së ushtarëve, transmeton Indeksonline.















