Kumanova – Kryeministri serb u shpreh se Serbia është populli më i dashur për Maqedoninë, pas ngjarjeve që ndodhën në Kumanovë. Ai theksoi se shërbimet sekrete serbe janë pyetur për ngjarjen në Kumanovë
Rama – Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për agjencinë e lajmeve AFP, u shpreh për thellim të bashkëpunimit me Serbinë. Sipas tij, të dyja vendet duhet të ecin përpara në rrugën e paqes
Berlini – Samiti i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përveç premtimit për mbështetje me fonde për Ballkanin, e për integrimin në BE, ka “shkrirë” akujt mes dy shteteve
Vizita në Tiranë
“Droni, ngjarje politike, unë e Rama e dimë kush e bëri”
Vizita e Kryeministrit serb në Tiranë shihet me shumë interes për të dyja vendet, por në Beograd vëmendja duket se është përqendruar nëse Vuçiç do t’ia kthejë ‘reston’ Ramës për Kosovën ose jo. Ashtu si ajo e Ramës, edhe për Vuçiç është vizita e parë e një Kryeministri serb në Tiranë, pas disa dekadash. Kreu i qeverisë serbe dha dje disa qëndrime për vizitën në Shqipëri, situatën në rajon e Ballkan, duke paralajmëruar batuta me homologun Edi Rama gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, më 27 maj. I pyetur nga B92 për marrëdhëniet me Shqipërinë, ai tha se duhet të bëhet kujdes, pasi shqiptarët janë një popull në zgjerim. Megjithatë, Vuçiç nënvizoi se marrëdhëniet Serbi – Shqipëri janë të mira. Ndërsa lidhur me dronin dhe flamurin e Shqipërisë së Madhe, Kryeministri serb u shpreh se ai dhe Rama e dinë se kush e hodhi. “Shqipëria dhe shqiptarët janë një ‘popull në zgjerim’ dhe ne duhet të kemi kujdes me ta, të kemi marrëdhënie të mira. Ne e dimë dhe autoritetet e dinë se çfarë ndodhi, ishte pa dyshim e organizuar politikisht. Të dy, Edi Rama dhe unë, e dimë kush e bëri”, tha Vuçiç. Kryeministri serb tha se autoritetet serbe kanë bërë “numrin më të vogël të lajthitjeve në deklaratat politike në rajon”, duke shtuar ndërkaq se ka pasur disa të tilla, dhe vazhdoi: “Serbia është më e dashura në popullatën maqedonase, sidomos pas ngjarjeve të fundit. Ata na shohin se ne nuk kemi bërë asgjë për të trazuar vendin e tyre. Gjithashtu ne e duam Republika Srpska, por respektojmë Bosnjë-Hercegovinën”. Edhe pse vendi i tij ka shpallur si objektiv strategjik anëtarësimin në Bashkimin Europian, Vuçiç theksoi edhe një herë se Serbia nuk do të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe se nuk do të jetë një shërbyese e BE-së për sa u përket kushteve që mund t’i vendosen në lidhje me Kosovën, edhe pse në javët e fundit është përfolur se Serbia mund të ndryshojë kushtetutën pikërisht në nenet ku flitet për të. Ndërsa nuk ka ngurruar të flasë dhe për ngjarjet në Kumanovë, duke theksuar se shërbimi sekret serb njoftoi autoritetet maqedonase. “Ne nuk do të imponojmë sanksionet ndaj Rusisë. Ne duam marrëdhënie më të mira me SHBA-në, por ka pengesa siç është çështja e vëllezërve Bytyçi, ndaj të cilët ne reaguam shumë keq. SHBA-ja është e rëndësishme për të ardhmen europiane të Serbisë, sepse ne kemi kontribuar për paqen në rajon. Ne kemi qenë aktorë gjatë ngjarjeve në Maqedoni, shërbimet tona janë pyetur për Kumanovën”, tha ai. I pyetur në lidhje me heshtjen ndaj deklaratave të Kroacisë për rehabilitimin e një krimineli të Luftës së Dytë Botërore nga gjykatat serbe, Kryeministri theksoi se “unë nuk mund të pranoj atë që mendon zonja Pusiç (Vesna) për rehabilitimin e Drazha Mihailoviçit. Unë ju them se nuk mund të flasim për këtë gjë”. Duke komentuar në lidhje me çështjen e Vojislav Sheshel, ai tha se qeveria nuk ka marrë kërkesë për rikthimin në burgim të ish-shefit të tij. “Ne nuk kemi marrë një kërkesë zyrtare, por do të pyesim, ata nuk kërkojnë ndonjë garanci të veçantë, përveç marrjes së pasaportës së tij. Ne do ta shohim me vëmendje këtë çështje pa rrezikuar të ardhmen e Serbisë në BE. Do t’u shpjegojmë atë se sa i sëmurë është Shesheli, nëse është vërtet i tillë”, tha Kryeministri serb. I gjendur vazhdimisht nën sulmin e skifterëve brenda partisë së tij, kreu i Partisë Progresive të Serbisë tha se po shikon që të gjejë një pasues të denjë për kreun e partisë dhe theksoi se nuk dëshiron të rrijë gjatë në drejtim. Më 10 nëntor të vitit të shkuar, Kryeministri Edi Rama ishte i pari drejtues i lartë i shtetit shqiptar që vizitoi Beogradin. Vizita ishte e tensionuar, për shkak të incidentit të ndodhur në ndeshjen zyrtare ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian. Pikërisht në konferencën e përbashkët për shtyp, çështja e Kosovës ishte dhe përplasja e madhe e dy kryeministrave, ku Rama i kërkoi zyrtarisht Serbisë të njohë realitetin, Kosovën e pavarur. Për vizitën zyrtare të 27 majit, Kryeministri Edi Rama, duke folur për agjencinë e lajme AFP, u shpreh se duhet të thellohet bashkëpunimi me Serbinë. Kryeministri shqiptar theksoi se të dyja vendet duhet të ecin përpara në rrugën e paqes. Vuçiç do të marrë pjesë në konferencën e Forumit Ekonomik të Vjenës që mbahet në Tiranë. Gjithashtu, axhenda e tij parashikon takime me Presidentin Nishani, kryeparlamentarin Meta dhe liderin e PD-së, Basha.
Presidenti
Nikoliç: Sulmet, ide e Shqipërisë së Madhe
Presidenti Tomisllav Nikoliç, përpara takimit në Beograd me homologun e tij italian, Sergio Mattarella, nuk ka ngurruar të flasë për ngjarjen e dronit dhe vizitën e Ramës në Serbi. “Sulmet terroriste, si dhe provokimet e qëllimshme gjatë vizitës së delegacionit të Tiranës (në Serbi), janë një sinjal që i gjithë rajoni është në rrezik”, raporton ANSA. Më tej, ai theksoi se “unë mendoj se ky problem duhet kundërshtuar bashkërisht nga të gjitha vendet që kanë një popullsi të konsiderueshme shqiptare, e cila është një parakusht për bashkimin e planifikuar territorial të trojeve shqiptare”, deklaroi Nikoliç. Ai ka nisur një fushatë për miratimin e një platforme për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur. shqip














