Në Shkup do të mbahet takimi i dytë i liderëve për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike në vend.
Liderët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti nga BDI-ja, Zoran Zaev nga LSDM dhe Menduh Thaçi nga PDSH do të kërkojnë zgjidhje të problemeve.
Vëzhgues të takimit, do të jenë ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli dhe a ii BE-së, Aivo Orav.
Takimi i parë ishte përpjekje për krijimin e kornizës për bisedime për dalje nga kriza politike në Maqedoni. Pas takimit të së enjtes lideri i LSDM-së Zoran Zaev bëri të qartë se nuk kthehet në Kuvend derisa nuk arrihet marrëveshje për një Qeveri kalimtare, pa Gruevskin në të, ndërsa kryeministri hapur tha se nuk planifikon të japë dorëheqje.
Ndërkaq, mbështetësit e Gruevskit do të mbajnë sot rreth orës 20:00 një tubim në sheshin para godinës së parlamentit të vendit.
Përfaqësuesit e partisë i kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë mbështetjen e tyre për qeverinë dhe të japin mesazhin se një qeveri mund të rrëzohet vetëm me votë dhe jo me protesta, ndërsa vetë Gruevski ka bërë të qartë që nuk do ta japë dorëheqjen.
Në thirrjen e VMRO-DPMNE-së për tubimin, thuhet se partia do të luftojë për Maqedoni të zhvilluar ekonomikisht, të qëndrueshme dhe të fuqishme dhe nuk do të lejojë për shkak të asnjë interesi partiak ose personal që shteti të futet në atë drejtim, që është në dëm të çdo qytetari të Maqedonisë.
















