Intervistë me Ilir Hajdarin, publicist dhe shkrimtar nga Gjakova
Ka kohë që emri i Ilir Hajdarit ka zënë vend të rëndësishëm në mesin e krijuesve serioz, e sidomos pas botimit të veprës së tij të parë: “Elegji për lotin”, vepër kjo e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga kritika letrare, duke e cilësuar atë “Ngrehinë të qëndrueshme në vazhdimin e veprimtarisë poetike”. Por, ai vlerësohet edhe për shkrimet e tij publicistike, ku vërehet guximi për të pasqyruar të vërtetën dhe sulmi ndaj atyre që konsideroheshin të paprekshëm deri më atëherë.
Intervistoi: Valmir Tertini
Ilir Hajdari u lind në vitin 1977. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Gjakovë. Për shkak të luftës, u detyrua t’i ndërpres studimet për Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës për t’i vazhduar pas luftës në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Me shkrime meret që nga bankat e shkollës fillore, kurse punimet e para i ka botuar më 1995. Është laureat i disa çmimeve në poezi dhe shpërblime të tjera në gazetari dhe teatër. Që nga viti 2009 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Me z. Hajdari biseduam për karrierën e tij letrare e publicistike, për vështirësitë me të cilat është përballur ai në kohën sa ishte në detyrën e gazetarit dhe për njerëzit me të cilët është takuar në kohë të ndryshme. Ndonëse ky muaj i kujton atij dëbimin e dhunshëm të prillit ’99, ai s’mundi ta kalonte as këtë moment pa e përmendur…
“The Albanian”: Ç’ju kujton ky muaj?
Hajdari: Tmerr… Më kujton familjet Vejsa, Haxhiu, Dervishdana… Ilir Hoxhën, Yllka Domin… Më 2 prill të vitit 1999 bashkë me shumë qytetarë të Gjakovës u nisëm këmbë për në Shqipëri, me shpresën se do të arrinim gjallë deri në kufi të Qafë Prushit. Nga mëngjesi i hershëm e deri në orët e mbrëmjes kaluari i njerëzve që s’kishte fillim as mbarim, arriti deri në Shqipëri. Unë atë ditë hëngra një shqelm bythëve dhe një shpullë të fuqishme nga një milic i Serbisë në qendër të qytetit të Gjakovës. Shumë herë i kam thënë vetës: “Po ç’ndreqin m’u desh që s’e kapa pushkën, po kalemin?”
Të gjitha “fajet” e Ernest Lumës
“The Albanian”: T’i kthehemi kalemit. Pse u morët me gazetari?
Hajdari: M’u imponua. Në vitin 1997 ia dhashë idenë kryetarit të ORSH-së, që ta inicionte themelimin e revistës për të rinj. Ndërsa, ai pranoi, por me një kusht që unë të isha kryeredaktor i saj. Ashtu u bë. Pas shumë përgatitjesh dhe mundimesh, më në fund numri i parë i revistës me emrin “Bota jonë” doli në dhjetor. Tirazhi prej 1000 kopjesh nuk i përmbushi kërkesat e lexuesve, të cilët shiheshin ngado me revistën në duar. Ndërsa, sot kujtoj se ajo revistë ishte bashkimi i të rinjve rreth një vatre, e cila deri më atëherë ishte e ç’orientuar dhe pa adresë, ishte më tepër se një lajm, ishte vetë pararendësja e lirisë që po vinte. Revista doli edhe tre herë të tjera, deri më 1998, kur nga gjiu i redaksisë iku për në luftë gjimnazisti Ilir Hoxha, tani dëshmor i kombit, për të cilin krenohemi të gjithë ish anëtarët e redaksisë.
The Albanian”: Donë të thotë se revista “Bota jonë” ishte hapi i parë që iu dha mundësinë për të bërë karrierë?
Hajdari: Nuk është tamam ashtu. Mund të them se i vendosi përfundimisht shtyllat s’e kah duhet të shkoja. Kisha patur edhe disa suksese më herët. Por, tek kjo revistë ndodhën shumë gjëra të mundimshme, për të cilat isha i bindur se do të linin gjurmë. Kjo revistë, gjithashtu ka regjistruar edhe një sukses – intevistën time të parë me Ernest Lumën, zëdhënësin e AAK-së, i cili në atë kohë ishte Nënkryetar i dytë i UPS të UP-së dhe redaktor i revistës së studentëve “Bota e re” dhe më pas, kjo revistë na dërgoi në një takim zyrtar me kryesinë e Unionit të atëhershëm të studentëve të UPS-së me në krye Bujar Dugollin, të cilët ishin bërë faktor i rëndësishëm politik në vend. Këto takime janë të publikuara në shtypin tonë, ku ORSH, në krye të të cilit ishte Emanuel Bajra, një gjimnazist i pathyeshëm në qëndrimet e tij, i deklaroi përkrahje kryetarit Dugolli për lëvizje të përbashkët drejt aspiratave kombëtare. Ernest Luma u bë frymëzim për rrugën që do të ndiqja në gazetari. Ai i ka të gjitha “fajet”.
Çmimi i parë në poezi, u bë shkak i takimit të parë me poetin Din Mehmeti
“The Albanian”: Ju jeni fitues i disa çmimeve në poezi. Ç’ka kujtoni nga këto momente?
Hajdari: Ishte viti 1996. Në këtë vit isha nxënës i vitit të tretë në shkollën e mesme të mjekësisë. Forumi Rinor i LDK-së organizoi orën letrare “Vullneti ‘96”, ku nga krijimet e lexuara do të zgjidhej poezia më e mirë për t’u përfaqësuar në nivelet më të larta kombëtare. Salla ku mbaheshin takimet e LDK-së ishte e stërmbushur me nxënës, studentë, profesorë, gazetarë e shkrimtarë. Kryetar i jurisë ishte poeti Din Mehmeti për të cilin kisha mësuar gjatë orëve të letërsisë pak ditë më parë, por që asnjëherë nuk e kisha takuar fizikisht. Natyrisht kishte emocion kur më erdhi radha ta lexoj poezinë time. Pas meje lexuan edhe të tjerë dhe në fund juria u tërhoq për të bërë vlerësimin. Unë s’prisja ndonjë çmim nga ky takim. Ndodhi e kundërta. Gjatë kohës që Din Mehmeti me një fjalë rasti po përshëndeste këtë takim, të gjithë anëtarët e jurisë më shikonin herë pas here, deri në momentin kur Din Mehmeti përmendi emrin tim dhe titullin e poezisë me të cilën isha paraqitur. U shtanga, deri sa njëri prej anëtarëve të jurisë më tha që të shkoja të merrja shpërblimin. Aty ia kam shtrënguar për të parën herë dorën poetit Din Mehmeti. Ishte e mahnitshme. S’mund të besoja s’e isha vlerësuar me çmimin e parë. Pas kësaj, lajmi u përhap shpejt në qytet. Profesori i gjuhës shqipe, Halil Haxhosaj, të nesërmen e hapi orën e mësimit duke i dhënë hapësirë kësaj ngjarje, që sipas tij kjo e nderonte edhe shkollën ku unë mësoja. Të njëjtin veprim e bëri edhe profesori i sociologjisë dhe filozofisë, Gjergj Sokoli, tani martir i kombit. Dhe, që nga kjo kohë, unë krijova një besim dhe komoditet në të shkruarit e vargut dhe në këtë drejtim pata edhe suksese e vlerësime të tjera. Natyrisht isha bërë me “gisht”.
“The Albanian”: Po ky “gisht” sikurse thoni ju, a ju drejtua edhe më pas gjatë karrierës?
Hajdari: Po. Në maj të vitit 1999, në Tiranë kam patur një bashkëpunim të shkurtër me gazetën “Zëri i Kosovës” dhe kam dhënë një intervistë në TV “Klan” dhe në radion “Iliria” për ngjarjet e luftës në Kosovë. Kjo kohë më kujton edhe një moment shumë të rëndësishëm gjatë kohës kur po bëja një xhiro në rrugën që të çon kah bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kur në një dyqan ku shiteshin videokasetat, në një qoshe të saj ku ishte vendosur televizori shoh një film që po transmetohej nga RTSH. Ishte filmi “Kur fantazmat ladrojnë”, një film që ishte xhiruar në Gjakovë në vitin 1996, në të cilin luaja edhe unë, përkrah shumë aktorëve të njohur si: Hadi Shehu, Jahja Shehu, Hysen Binaku, Bislim Muçaj, Ramazan Bërkani, Muradije Muriqi e të tjerë aktorë, të cilët sot po vazhdojnë të injorohen nga institucionet e Republikës së Kosovës. Çmime e mirënjohje kam marrur edhe më vonë. Kujtoj me respekt mirënjohjen e Ramush Haradinajt dhe atë të Pal Lekajt për gazetari.
Hysen Binaku më afroi me “Epokën para gjyqit”
“The Albanian”: Meqë e përmendet filmin, ju keni luajtur edhe në teatër. Çka veçoni te ky zhanër?
Hajdari: Roli i Glen Denisonit tek drama “Pjata e drunjtë” me regji të Qemajl Junikut, më ka hapur rrugën për t’u marr me teatër. Ishte kjo shfaqje që organizohej në kuadër të revistës teatrore për të rinjtë nga Teatri amator “Emin Duraku” në Gjakovë, më 1996, një shfaqje e cila u shpërblye me çmimin e parë nga juria për regjinë më të mirë, ndërsa unë jam vlerësuar si një aktor që premton për të ardhmen. Më pas kam luajtur tek shfaqja “Qerbelaja” e Naim Frashërit, ndërsa gjurmë ka lanë roli i Qatipit që më është dhënë nga regjisori Ekrem Kryeziu tek drama “Epoka para gjyqit”. Ishte një nderim që po më bëhej, sepse po luaja përkrah trupës së Teatrit Profesionist të Gjakovës. Dhe për këtë duhet falemnderuar Hysen Binakun për ftesën që më bëri. Në këtë kohë, krahas provave shfrytëzova rastin të bëjë edhe një intervistë me Ekrem Kryeziun për gazetën “Fokus”, ku unë punoja atëherë, një intervistë që s’do ta harroj kurrë. Pak kohë më vonë, me ftesë të Hysen Binakut kam bërë edhe disa regji në Teatrin Amator “Emin Duraku”.
Ekrem Kryeziun e lash të më priste për 15 minuta
“The Albanian”: Thatë se intervistën me Ekrem Kryeziun nuk do ta harroni kurrë. Për çfarë arsye?
Hajdari: Kam bërë disa intervista me njerëz të rëndësishëm. Ekrem Kryeziu ishte njëri prej tyre. Emri i tij të kujton burgosje, përndjekje, sakrificë dhe kulturë kombëtare. Ndonëse isha i ri dhe përpara një kolosi të tillë, gjaku i të cilit vinte nga dera e Abdullah Pash Drenit, ndjehesha i emocionuar. Pyetjet ia kisha përgatitur me kujdes të madh dhe ia pata dorëzuar gjatë kohës kur po fillonim provat dhe në përfundim prisja se do të ma refuzonte intervistën. Më tha, pyetjet më kanë provokuar tepër dhe intervistën mund ta bëjmë nesër. U gëzova. Të nesërmen u vonova për 15 minuta dhe kjo e kishte shqetësuar regjisorin. “Kush je ti që më len mua të të pres ty! Kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë në jetën time!”, më tha Ekremi, pas një telefonate që më kishte bërë për të ma kujtuar se është gati të më pres në orën që e kishim lënë ditë më parë. I thash të më fal dhe ashtu të acaruar u ngjitëm në njërën prej zyrave të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” për të realizuar intervistën. Ai fliste dhe unë shkruaja në kompjuter. Natyrisht se djersët më shkonin çurg për gabimin që kisha bërë, duke e lënë Ekremin të më priste për 15 minuta. U ndjeva keq atë ditë. Megjithatë, intervista u botua si një material ekskluziv në gazetën “Fokus” dhe i kishte dhënë hapësirë edhe në faqen e parë, madje. Por, “skandalin” rreth pritjes që e bëra, nuk m’u shkoq nga mendja.
Kadrush Radogoshi e vulosi fatin e “Elegjisë për lotin”
“The Albanian”: Libri me poezi “Elegji për lotin” pati jehonë dhe disa ju krahasuan edhe me Migjenin.
Hajdari: Ishin disa krijime të mia të shkruara në kohë të ndryshme e të cilat kishin shpëtuar pa u djegur dhe kjo duke iu falënderuar mbesës sime, e cila gjatë luftës kishte ardhur dhe i kishte marr këto dorëshkrime, para se të më digjej shtëpia. Ndërsa, disa krijime të tjera janë shkruar gjatë dhe pas luftës. Janë vargje që pasqyrojnë realitetin me shpërthime metaforike, por që kanë një pesimizëm të thellë. Kjo është arsyeja se përse Mr. Muhamet Rogova, në një recension të tij, duke analizuar këtë vepër, më ka krahasuar me Migjenin. Por, padyshim vulën përfundimtare për qëndrueshmëri në letrat shqipe, ma ka dhënë Mr. Kadrush Radogoshi, i cili atë kohë ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, përkatësisht redaktor i librit tim të parë. Gjërat që bëhen për herën e parë nuk harrohen. Prandaj, nuk do të harrohet as Kadrush Radogoshi edhe pse tani jeton në Kanada. Takimet e shpeshta me të, ishin orë të këndshme ligjëratash. Ky libër nuk është një botim privat, sikurse jemi mësuar të shohim, por është një botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Servilët “patriotë” po më neveritin. Janë të shumtë
“The Albanian”: Keni qenë ideator i dokumentarit “Letër e djegur”, i cili u emetua në RTK. Sa jeni i kënaqur?
Hajdari: Ai është dokumentar i realizuar me mjeshtëri nga Remzije Ferati-Isufi, që bënte fjalë për një luftëtar, i cili u nis për në luftë dhe nuk u kthye kurrë më, as në arkivol dhe që nga ajo kohë nuk është ditur gjë për të, madje as vendi i prehjes së eshtrave të tij. Aty, prezantohet edhe masakra e prillit e vitit 1941, ku serbët kishin vrarë me dhjetëra fshatarë të kësaj ane. Natyrisht ky dokumentar ua prishi gjumin disa “patriotëve”, të cilët u vunë në gjah për të zbehur këtë ngjarje, që për shumë kë ishte një iniciativë e rëndësishme për të prezantuar të vërtetat e heshtura historike. Dokumentari pati efektin e vet dhe fal tij, jemi në gjurmë të vendndodhjes së eshtrave të Hajdar Jupës nga Beci, i vrarë në kufirin me Malin e Zi në vitin 1944, në luftë me çetnikët serbo-malazez. Në këtë kohë ishin vrarë nga çetnikët edhe Din Mehmeti e Dërvish Myrta të Becit. Për realizimin e këtij dokumentari duhet falënderuar ndihmën që dhanë familjarët e Jupë Hajdarëve të Becit.
“The Albanian”: Çka jeni duke punuar tani?
Hajdari: Kam një libër të përfunduar që po pret dorën e donatorit dhe një tjetër që jam duke punuar e për të cilin ka shumë njerëz që po presin ta lexojnë. Megjithëse ka të atillë që s’kanë dëshirë që kjo vepër ta shoh dritën e botimit, sidomos servilët e pushtetit lokal, disa matrapaz, të padijshëm, “patriotë”, që janë vënë në shërbim të kryeparit për të rrënuar vlerat e heshtura kombëtare. Le që s’duan të të ndihmojnë, por janë krijuar si një rrjet merimange dhe në shërbim të prishjes së planeve për të vërtetat historike. Kjo më shkakton neveri. Uroj të çlirohemi nga padrejtësitë e vetvetes, sepse në këtë mënyrë mund ta çlirojmë varfërinë tonë kombëtare, përgjithësisht. Megjithatë, njeriu, vet e ndërton pavdekësinë e tij.
Redaktoi: Emanuel Bajra “The Albanian” Londër/


















