Pas shumë ditësh maratonë filmike në festivalin “Tribeca Film Festival”, e enjtja ka shënuar natën e fundit të festivalit ku edhe janë ndarë çmimet e shumëpritura.
Filmi bashkëproduksion i Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës, Italisë dhe Gjermanisë, tanimë historia e njohur “Burrneshat” ka marrë shpërblimin “Nora Ephron Prize”, i cili ka vlerën prej 25 mijë eurosh. Juria e veçantë për çmimin ka thënë se filmi prek temën e gjinisë dhe shtypjes në një mënyrë që vetë juria nuk e ka parë më parë.
“Filmi vazhdimisht na befason dhe na bën t’i diskutojmë edhe pozicionet tona me anë të një nuancë plot vetëbesim e pasion, me minuta filmike që tregojnë respekt për audiencën”, është komenti i jurisë, për filmin i cili flet për jetën e Markut, femra e cila që në fëmijëri edukohet dhe rritet si një djalë.
Pos filmit kosovar, fituesi absolut i natës ka qenë filmi “Virgin Mountain”, një produksion i Danimarkës dhe i Holandës, i cili ka marrë tri çmime dhe filmi danez “Bridgend” me po ashtu tri çmime.
“Burrneshat” është film nën regji të Laura Bispurit, ku luajnë edhe aktorët kosovarë Luan Jaha dhe Ilire Vinca Celaj, krahas emrave si Alba Rohrwacher, Lars Eidinger e Emily Ferratello.
“Burrneshat” në fillim të prillit mori çmimin “Firebird Award”, që është kryesori në garën e filmbërësve të rinj të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong.



















