Kombëtarja e Shqiptarëve ka lajme të pakëndëshme për pamundësinë e përfshirjes në lojën kundër Armenisë të dy të ardhurve të rinj në ndeshjet zyrtare, Naser Aliji (Vaduz, Lihtneshtajn që luan në ligat zvicerane) dhe Arlind Ajeti (Bazel, Zvicër).
Të dy lojtarët nuk kanë marrë lejen e nevojshme nga FIFA pasi kanë qenë më parë pjesë e skuadrave të moshave të shteteve të tjerë, përkatësisht Zvicrës.
Gjithashtu lajm brengosës është shtyrja deri në çastet e fundit përpara lojës të vendimit për të zbritur në fushë qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj (Këln, Bundesliga 1 Gjermani).
Mundësi për të luajtur në vend të Mavrajt, meqë Ajeti nuk mundet, ka Debatik Curri (Tirana, Kategoria Superiore, Shqipëri), një nga 14 shqiptarët prej Kosove që luajnë për vendin e tyre, Shqipërinë.
Shqipëria dhe Armenia përballen në stadiumin “Elbasan Arena” të dielën më 29 mars me fillim prej orës 12:00 në Nju Jork ose 18:00 vendore.
Në tërësi për gjendjen e skuadrës foli trajneri italo-shqiptar Xhani de Biazi dhe kapiteni Lorik Cana nga Gjakova.
Ata pohuan megjithatë se Kombëtarja e Shqiptarëve do të synojë dhe ka mundësi ta mposhtë kundërshtarin shumë të vështirë armen.
“Ne nuk luajmë për barazim por për fitore”-tha Xhani de Biazi, i cili vetëm sot iu dorëzua dekreti presidencial i shtetësisë së Shqipërisë, duke shtuar që 11-en bazë të fillimlojës do ta shpallë vetëm përpara e jo më herët.
“Për të fituar duhet studiuar loja e kundërshtarit, – vijoi përzgjedhësi. – Të përgatitemi psikologjikisht dhe të bëjmë detyrat që kemi kryer në stërvitje”.
Ai theksoi se “duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos na pushtojë entuziazmi”, pasi siç përsëriti “kundërshtari ynë është i rrezikshëm, andaj duhet marrë në konsideratë dhe ne të shfrytëzojmë cilësitë që kemi”.
“Duhet të bëjmë një ndeshje taktikisht perfekte pa lejuar hapësira për kundërshtarin sepse kanë kualitete në kundërsulm”-tha De Biazi.
Për kapitenin Lorik Cana, ndonëse me mungesa, fitorja e Kombëtares së Shqiptarëve “nuk duhet vënë në diskutim”.
“Do të luajmë për fitore por në fund do të flasë fusha”-tha kapiteni, duke menduar luftën e fortë për të shkuar në finalet e Kampionatit Europian futbollistik që do të mbahet në Francë në vitin e ardhshëm 2016.
“Skuadra, – shtoi Lorik Cana prej Gjakovës, – ka më shumë përvojë dhe di të përshtatet me çdo lloj situate gjatë ndeshjes, di të reagojë dhe kjo është pozitive”.
















