UEFA publikoi emrin e arbitrit iberik për sfidën që do të luhet të dielën në stadiumin “Elbasan Arena”
Do të jetë spanjolli Fernandez Borbalan arbitri që do të vendosë drejtësi në ndeshjen eliminatore të “Euro 2016″ mes Shqipërisë dhe Armenisë. UEFA publikoi emrin e arbitrit iberik për sfidën e “Elbasan Arena”, e cila do të luhet në datën 29 mars në orën 18:00.
Sipas komunikatës së institucionit më të lartë të futbollit europian, asistentët e tij do të jenë Kabanero Martinez dhe Roberto Del Palomar, ndërsa arbitër i katërt, Horge Kanelo Prieto. Kjo është hera e parë që 41-vjeçari arbitron një ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa në Spanjë konsiderohet një nga “bilbilët” më të mirë.
Gjatë këtij sezoni në La Liga ai ka drejtuar disa ndeshje të rëndësishme mes të cilave Valencia-Barcelona dhe Barcelona-Athletic Bilbao.
Takimi i fundit në UEFA Champions League ku Borbalan vendosi drejtësi ishte ai i muajit dhjetor mes Galatasaray dhe Arsenal ku londinezët fituan 4-1.
















