Kreu i BDI-së e ka bërë këtë deklaratë në Akademinë kushtuar Brigadës 115 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të mbajtur mbrëmjen e sotme në Shtëpinë e Armatës së Maqedonisë në Shkup
Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka komentuar situatën më të fundit politike në vend në Akademinë kushtuar Brigadës 115 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të mbajtur mbrëmjen e sotme në Shtëpinë e Armatës së Maqedonisë në Shkup.
Ahmeti, referuar publikimeve të një sërë përgjimesh nga ana e opozitës, u shpreh se personi që ka bërë të ditur se zotëron material mbi funksionarët dhe BDI-në në tërësi për 13 vite me radhë, mund ta publikojnë lirisht, transmeton Almakos.
“Ne mirëpresim çdo publikim, ne nuk trembemi. Asgjë të mos mbetet enigmatike. Të mos mbesin kureshtar. U siguroi juve dhe gjithë ata që presin me kureshtje, ju garantoj që ne nuk jemi në pushtet për pasurime personale. E kam thënë që në BDI nuk janë të gjithë engjëj, nëse eventualisht ka që kanë keqpërdorur institucionet, mban përgjegjësi. Unë e kam thënë që nuk do padisim asnjërën palë për publikimet. Ne nuk koketojmë me asnjërën palë dhe nuk punojmë me standarde të dyfishta. Atë qe e themi publikisht edhe e punojmë në jetën publike”, tha Ahmeti.
Opozita maqedonase ka publikuar një sërë bisedash të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë të pushtetit, politikanë, gazetarë e mijëra përsona të tjerë.
Skandali i përgjimeve e ka thelluar edhe më shumë krizën politike në Republikën e Maqedonisë. Komuniteti ndërkombëtar po e ndjek me shqetësim gjendjen, ndërsa shtohet skepticizmi lidhur me afrimin e këtij vendi drejt strukturave euro-atlantike.
Mjetet e informimit në Shkup shkruajnë se Holanda ka paralajmëruar rishikimin e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, nëse vendi nuk mbështet proceset demokratike.
E.Memushi















