Përgjegjësi i Departamentit për Sigurinë dhe Rendin në PD, Bashkim Shehu, solli prova të reja ditën e sotme lidhur me çështjen “Doshi”.
“Që Toni i Kombinatit është mik dhe klient i dyshes Meta-Rama, e tregon fakti se pikërisht, ditën që është nxjerrë për të urdhëri i kërkimit, ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë. Një lëvizje e qartë për pengim të hetimit, dhe fshehje të krimit”, tha Shehu.
Shehu shtoi se “Ilir Meta i ka mbajtur kontaktet me të, pasi dërgoi Spartak Brahon, për ta sjellë në Shqipëri, dhe për ta vënë në shërbim të alibisë së tij, në shërbim të fabrikimit dhe manipulimit të çështjes. Në shërbim të pengimit të drejtësisë dhe fshejes së krimit.
Në këmbim të dëshmisë së tij pro-Metës, Tonit i janë afruar garancitë e nevojshme, dhe sot është i lirë edhe pse kërkohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Sipas Shehut “Ky është një fakt skandaloz, një dëshmi tjetër e përfshirjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë histori kriminale. Një dëshmi e vënies në dispozicion të Ministrit të Brendshëm në mbulim të gjurmëve e largim të dëshmitarëve, pra të fshehjes së krimit. Këto ngjarje tregojnë se nuk mund të ketë hetim të besueshëm sa kohë që ilir Meta pengon drejtësinë me anë të pushtetit që ka, sa kohë që Edi Rama bashkëpunon në këtë skemë kriminale të shantazhit ndaj organit të akuzës dhe mbulimit të së vërtetës.
















