Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi, ka bërë me dije se ka kontaktuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke shtuar se nesër do të dorëzojë provat. Por, në njoftimin e dhënë në “Facebook”, ai nuk ka reaguar për dëshminë që i shoqëruari në polici, Durim Dumi, ka dhënë duke thënë se është paguar nga Doshi për të thënë versionin e tij. Ai ka thënë se do të komunikojë drejtpërdrejt me shqiptarët dhe do tregohet transparent me publikun dhe votuesin. “Kam kontaktuar me prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’i dhënë dëshminë time në lidhje me hetimet e nisura për tentativë vrasje ndaj meje dhe një kolegu tjetër deputet. Më kanë caktuar, pas kërkesës time, që nesër paradite të paraqitem për të dorëzuar provat e mia. Para çdo gjëje për mua si person është e rëndësishme transparenca me publikun dhe votuesin. Sot kam vendosur të komunikoj drejtpërdrejtë dhe hapur me të gjithë shqiptarët”, ka thënë Doshi në Facebook.















