Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, ka firmosur në Bruksel ditën e djeshme, marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Europian “Europa për Qytetarët”. Sula u shpreh se ky program është një mundësi e mirë, sidomos për grupet e interesit që janë prekur direkt nga regjimi i shkuar komunist. “Ky program ka dy shtylla kryesore: kujtesën për atë që ka ndodhur gjatë të shkuarës komuniste dhe së dyti, për të promovuar shkëmbime midis qyteteve tona dhe qyteteve të Europës”,- tha Sula, ndërsa bëri me dije se programi ka për qëllim të sigurojë një bashkëjetesë harmonike, një jetesë që e pranon diversitetin dhe që i jep frymë bashkëjetesës integruese.
Sipas saj, ky program krijon mundësi edhe për shoqërinë civile për të realizuar projekte në fushën e promovimit të frymës së bashkëjetesës harmonioze, tolerante dhe të integruar Me anë të këtij projektvendimi bëhet e mundur pjesëmarrja e Shqipërisë në Programin “Europa për Qytetarët” duke kontribuar në të kuptuarit e qytetarëve historinë e BE-së, të diversitetit, për të nxitur qytetarinë evropiane dhe për të përmirësuar kushtet për pjesëmarrje qytetare dhe demokratike, për të rritur ndërgjegjësimin e kujtesës, historisë dhe vlerave të përbashkëta, duke zhvilluar të kuptuarit e qytetarëve në procesin e vendimeve të politikave të BE-së dhe duke promovuar mundësi për angazhim shoqëror, ndërkulturor dhe për vullnetarizëm. Kjo marrëveshje u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme dhe të Migracionit në Komisionin Europian, Matthias Ruete.
















