Partia Demokratike kërkoi nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Jashtme që të japë informacion dhe llogari se çfarë ka bërë gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur interesin kombëtar shqiptar për çështjen e lumit Vjosa. Deputeti demokrat Aldo Bumçi ngriti pikëpyetje nëse kjo çështje është ngritur në takimet dypalëshe. Ai tha se Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është takuar katër herë me Ministin e Jashtëm Evangelos Venizellos gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e gjysëm në qeverisje.
“Pse nuk është ngritur kjo çështje në takimet dypalëshe si çështje e një rëndësie të madhe kombëtare?! Pyetja e dytë ka të bëjë me Komisionin e Përbashkët i Përhershëm për Ujërat e Ëmbla midis Shqipërisë dhe Greqisë që është mbledhur më 9 Janar të këtij viti. Si ka mundësi që nuk ka asnjë transparencë, asnjë informacion se çfarë është disktuar mes palës shqiptare dhe asaj greke për Vjosën.
Sepse ky komision diskuton vetëm çështjen e ujërave të ëmbla, Vjosa, Prespa dhe lumenj të tjerë. Pse nuk kemi informacion?! Kjo mungesë informacioni çfarë fsheh?! Çfarë frike ka pala shqiptare që nuk informon publikun në lidhje me projektet mbi Lumin Vjosë?! Çfarë po fsheh me këtë heshtje?! Këto janë shqetësime të mëdha që ne ngrejmë si opozitë, dhe i kanë ngritur dhe pjestarë të shoqërisë civile. Besoj se të gjithë qytetarët janë të interesuar për të mësuar të vërtetën mbi Lumin Vjosa. Çështja e Lumit Vjosa është ngritur edhe më herët por a është lajmëruar qeveria e demokratëve në lidhje me këtë çështje?”, u shpreh Bumçi. Deputeti demokrat tha se gjatë kohës që ka qenë Ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë informacion nga Ministria e Jashtme Greke, duke shtuar se informacioni është marrë vetëm përmes mediave. Sipas tij kanë qënë bashkitë e Greqisë Veriore të cilat janë kundër projektit dhe kanë ngritur zërin dhe se informacioni është marrë përmes mediave dhe burimeve të tjera që ka një projekt. “Mbas këtij shqetësimi kemi kërkuar që Ministria e Jashtme dhe ambasada jonë në Greqi të vihej në lëvizje dhe të mësojë më shumë për projektin. Kjo është e vërteta. Është kërkuar të manipulohet në media duke dashur ta sjellin çështjen në korrik 2013. Pra kemi takime të Bushatit me Venizellosin dhe çështja nuk ngrihet ose të paktën publikisht nuk na thuhet gjë. Kemi më 9 janar të këtij viti kemi mbledhjen e Komisionit të Ujërave dhe nuk ka informacion për publikun se çfarë është diskutuar dhe kërkojnë që këtë çështje ta sjellin në korrik 2013. Kërkojnë të manipulojnë çështjen dhe ta fshehin”, tha Bumçi, duke shtuar se kjo është një arsye më shumë për të shprehur shqetësim për sjelljen e qeverisë në lidhje me Lumin Vjosa. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se e vërteta është që nuk ka pasur asnjë kërkesë nga qeveria Greke.
















