Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, deklaroi se çdo qindarkë e taksapaguesve të Tiranës po investohet në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shërbimit ndaj tyre. I pranishëm gjatë nisjes së punimeve të rindërtimit të shkollës së mesme “Qemal Stafa”, Basha tha se 1300 gjimnazistët e “Qemal Stafës”, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, do të mund të shërbehen me turnin normal, ku kapaciteti do të shkojë në 1400 gjimnazistë për këtë institucion. Ai tha se në këtë shkollë ndonëse ka pasur dy ndërhyrje gjatë 20 viteve të kaluara, në tërësi këto ndërhyrje kanë mbetur në nivelin e fasadës.
“Punimet në shkollën “Qemal Stafa” e ndërtuar që në vitin 1950 duhet të kishin përfunduar nëse nuk do të mbaheshin peng nga lufta politike që qeveria që në nisje të mandatit të saj i hapi Bashkisë së Tiranës. Është e jashtëzakonshme që një proces i tillë të mbetet peng i vullneteve politike. Kemi dashur ta nisim këtë projekt prej kohësh dhe ndonëse taksapaguesit e Tiranës janë taksapaguesit më të mëdhenj të buxhetit qendror të shtetit, ata janë të fundit që përfitojnë nga grantet. Mentaliteti i diskriminimit politik është një e keqe, e keqja tjetër është papërgjegjshmëria me lekët e taksapaguesve. Çdo qindarkë e taksapaguesve ka një vlerë të jashtëzakonshme, veçanërisht në kohë krize ekonomike. Si i përdorim, ku i çojmë këto lekë dhe si japim llogari para publikut për veprat që bëjmë me këto lekë tregon nëse qeverisim mirë, qeverisim me përgjegjshmëri apo qeverisim keq dhe nuk duam t’ia dimë për lekët që nuk janë kurrë të qeveritarëve qendrorë apo vendorë por janë lekët e taksapaguesve.
Të investosh për fasada, për palmat, kur nevojat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë të mëdha për infrastrukturë primare, rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, spitale, të shtosh taksat mbi qytetarët e mos t’u kthesh shërbimet që meritojnë por të mbështetesh në fantazi apo vizatimet e mendjes tënde është papërgjegjshmëri totale”, u shpreh Basha. Nga shkolla “Qemal Stafa”, Basha i bëri thirrje Kryeministrit se në këtë situatë të krizës ekonomike dhe papunësisë në rritje, çdo qindarkë e taksapaguesve duhet të kthehet në shërbim ndaj tyre dhe në nxitje të zhvillimit ekonomik e jo të përdoret për show. “Si kryetar i opozitës, i bëj thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga projektet fasadë, nga projektet e luksit që shoqërohen me pretendime për korrupsion galopant dhe në këtë kohë krize të vendosë çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë në shërbim të taksapaguesve shqiptarë e jo në shërbim të “truman shoq” të rrugëve nga aeroporti në zyrën e Kryeministrit dhe nga zyra në shtëpinë e Kryeministrit, sepse kjo është një sjellje prej diktatori afrikano-qendror të viteve ’80 dhe jo prej një qeveritari të përgjegjshëm të një Shqipërie në NATO që pretendon të bëhet anëtare e BE. Në BE na bën përgjegjshmëria e qeverisë, na bën sensi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe jo projektet e luksit, shoqëruar me korrupsion”, tha Basha. Përfundimi i punimeve në shkollën “Qemal Stafa” që do të zgjasin 10 muaj do të reduktojë shkollën me dy turne dhe do të ndryshojë rrënjësisht kushtet e mësimdhënies dhe shërbimit ndaj nxënësve të kësaj shkolle.
Projekti i Bashkisë së Tiranës parashikon ndërtimin e një shtese në objektin ekzistues. Godina do të pajiset me sistem ngrohje qendrore, kaldajë me peletë. Sheshet e grumbullimit do të bëhen me beton të stampuar do të shtohet një sipërfaqe prej 186m² gjelbërim. Do të vendoset sistemi MKZ (sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit) dhe sinjalistika përkatëse. Do të bëhen kanalizimet e ujërave te zeza e te bardha. Shkolla pas ndërhyrjes do të ketë 34 klasa, 5 laboratorë, drejtorinë, 2 nëndrejtori, sallë mësuesi, salla e mbledhjeve, psikolog, dentistë, fast-food, palestrën dhe ambientet ndihmëse të saj. Gjithashtu, në pjesën e pasme të godinës do të ketë 3 terrene sportive, duke shtuar kështu 1100m² terrene.















