Për shkak se kanë falsifikuar dokumentet, AKKP ka kallëzuar në Prokurori plot 32 persona. Me anë të një deklarate për mediat, bëhet me dije se shtetasit e kallëzuar akuzohen se kanë tjetërsuar pronën shtetërore, duke përdorur dokumentacion të falsifikuar.
“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kallëzon në Prokurorinë e rrethit Vlorë, 32 persona me akuzën e “falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim dhe “të pastrimit të produkteve të veprës penale”.
AKKP gjatë hetimit administrativ të kryer për verifikimin e disa tjetërsimeve të pronës dhe pasurisë shtetërore, të realizuara në vite, ka identifikuar elemente të veprës penale. Shtetasit e kallëzuar akuzohen se kanë tjetërsuar pronën shtetërore duke përdorur dokumentacion të falsifikuar.
AKKP ka ngritur një grup pune, i cili ka vepruar në bazë të rekomandimeve të TaskForcës; për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrën e tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore. Ky grup pune, i ngritur për të kontrolluar zonën e bregdetit shqiptar, ka marrë në shqyrtim deri tani një numër të konsiderueshëm të rasteve të përcjella nga Task Forca.
AKKP ka vlerësuar se 32 personat e kallëzuar kanë shfrytëzuar përmes paraqitjes së dokumentave të falsifikuara edhe sjelljet jo ligjore të institucioneve shtetërore, duke përfituar mbi pronën shtetërore dhe duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm shtetit shqiptar.
AKKP do të vazhdojë të vlerësojë të gjitha rekomandimet e ardhura nga TaskForca, duke çuar përpara drejtësisë të gjithë personat dhe subjektet që me anë mashtrimesh dhe falsifikimesh kanë dëmtuar pronën shtetërore duke e tjetërsuar atë”, thuhet në reagimin për media.
















