Duke lënë pas emergjencën e ditëve të para, në zonat e përmbytura nisi shpërndarja e ndihmave për fermerët dhe blegtorët e prekur.
Bukë, ujë dhe ushqime të tjera për njerëzit dhe bazë ushqimore për bagëtitë u shpërndanë në Fier e Vlorë falë kontributit të bizneseve shqiptare dhe 14 kamionëve të ardhura nga Kosova apo shtete të tjera.
Ministri, Edmond Panariti, që ndoqi nga afër shpërndarjen e ndihmave tha se ata mjaftojnë për 15 ditët në vijim, ndërsa theksoi se vijon përllogaritja e dëmeve për të kompensuar të gjithë të prekurit nga përmbytjet.
Ndërsa përfaqësuesit nga Kosova theksuan se solidariteti në kushte të tilla mes Kosovës e Shqipërisë është i padiskutueshëm.
Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, u ndal në zonat e përmbytura në Urën Vajgurore, ku shpërndau ushqime për familjet e përfshirë nga përmbytja në lagjen “Dafinat”.
Nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, shpërndarjen e ndihmave e ndoqi Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, i cili bashkë me drejtuesit lokalë të selisë blu ndaloi në Baçovë të Fierit.















