Bluzat e bardha janë bashkuar së bashku në një protestë ku theksin e vënë tek dhuna dhe testimi. Mjekë dhe infermierë të Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë mbledhur në protestën që mori shkas nga dhuna e ditëve të fundit ndaj një mjekeje të kësaj qëndre.
Në një prononcim për mediat gjatë protestës, mjeku Tritan Kalo bëri me dije se kjo është një protestë në shenjë solidariteti për atë ç’ka i ka ndodhur koleges së tyre, Besjana Hysi.
“Po ndoten figura që kanë punuar në vite në mjekësi, të infermierit. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, bluzat e bardha do të jenë jo vetëm sot, por çdo ditë në protestë, këtu në orën 11. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, do të krijohet një çarje e marrëdhënieve pacient-mjek dhe mjek-qeveri.
Në këtë mënyrë siç është konceptuar lufta e korrupsionit është e papranueshme”, është shprehur ai.
Ai deklaroi më tej se mjekët testohen çdo ditë në ndërgjegjen, vullnetin dhe kapacitetin e tyre duke shpëtuar qindra jetë njerëzish.
“Çkuptim ka ai testim burokratësh, të cilët nuk dinë të menaxhojnë situatën. Këto bluza të bardha kanë ngelur të bardha pikërisht falë punës së tyre”, deklaroi mjeku Tritan Kalo.
















