Ministria e Shëndetësisë ka dënuar rastin e fundit të denoncuar përmes një video-je ku infermierja merr lek për shërbimin e ofruar. Zëvendësministrja Milva Ikonomi, ka ftuar të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast korrupsioni, duke nënvizuar faktin se shërbimi shëndetësor është falas. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një qytetar që i kërkon llogari një infermiereje se përse i kishte marrë lekë një djali.
“Drejtoria e QSUT-së, nisur nga denoncimi i bërë publik sot në rrjetet sociale, ka pezulluar në mënyrë të menjëhershme nga detyra punonjësen e sistemit të kujdesitshëndetësor me iniciale F.K., deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes nga grupi i punës që është ngritur për këtë qëllim dhe organet kompetente.
Duke marrë shkas nga akti i sotshëm qytetar i denoncimit publik të këtij rasti të dënueshëm korruptiv të mitmarrjes, si dhe duke vlerësuar angazhimin e qytetarëve si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimit tonë spitalor,Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje dhe nxit çdo qytetar të këtij vendi që të jetë pjesë aktive e bashkëpunimit të ndërsjelltë për denoncimin e çfarëdolloj akti korruptiv, me të cilin ata ndeshen gjatë ofrimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor.
Ashtu siç e kemi theksuar përherë, sfida jonë mbetet rikthimi i besimit të humbur tëqytetarëve tek shërbimi shëndetësor. Prandaj, jemi të vendosur që të mos lejojmë që asnjë akt që bie ndesh me këtë angazhim themelor qeverisës, apo çdo punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor që provohet të jetë i përfshirë në akte korruptive, të mos gjejë vend në sistemin e kujdesit shëndetësor që duam të ndërtojmë.
Për këtë qëllim, ftojmë qytetarët të denoncojnë aktet korruptive në portalin unik online kundër korrupsionit të prezantuar sot në takimin e organizuar nga Ministria e Çështjeve Vendore: www.stopkorrupsionit.al;
Gjithashtu, gjejmë rastin të informojmë publikun se shërbimi mjekësor në spitalet publike është falas, duke ju kujtuar se mitdhënia është po aq e dënueshme si dhe mitmarrja. Së fundi, dëshirojmë të sigurojmë opinionin publik se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe profesionistët e shërbimeve mjekësore të këtij institucioni, mbeten të përkushtuar në çdo orë të ditës dhe çdo ditë të vitit, për të çuar përpara misionin e ofrimit të kujdesit cilësor mjekësor ndaj pacientëve”.
















