SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësime lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Shqetësimi vjen pas ngritjes së kallëzimit penal kundër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev për spiunim dhe tentim për puç për marrjen e pushtetit në mënyrë jokushtetuese.
SHBA dhe BE kërkojnë respektim dhe përmbushje të standardeve për një hetim të pavarur dhe respektimi i së drejtës të të pandehurve.
Ambasada e SHBA-ve në komunikatën e saj theksoi sot se po ndjek me shqetësim rastin penal kundër kreut të opozitës Zoran Zaev dhe arrestimin e tre personave të tjerë nën akuzën se kanë bërë përpjekje të kërcënojnë rendin kushtetues.
“Ftojmë autoritetet që në rrjedhën e mëtejme të rastit të përmbushin standardet më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni”, thuhet në deklaratën e shkurtër të ambasadës amerikane në Shkup.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me ngritjen e aktakuzave kundër liderit opozitar Zoran Zaev me akuzën për “spiunazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve të lartë të pushtetit”.
“Këto janë akuza shumë serioze dhe ne kujtojmë të drejtën e pamohueshme për një hetim të pavarur dhe transparent në rast të çfarëdo dyshimi, derisa respektohet në tërësi e drejta e të pandehurit në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë edhe parimin e prezumimit të pafajësisë”, thekson BE. Deklarata më tej rikujton shqetësimin e shprehur rreth keqësimit të dialogut politik në Maqedoni. “Partitë politike duhet të përmbahen nga veprimet që do e minonin më tej situatën”, thuhet në fund të deklaratës. Ndërkohë, shqetësime të ngjashme për situatën ka shprehur edhe OSBE dhe përfaqësitë diplomatike evroperëndimore në Shkup.
MPB akuzon liderin e opozitës tre persona të tjerë, mes tyre ish-shefi i shërbimit sekret DSK, Zoran Verushevski për rrezikim të rendit kushtetues të vendit dhe për puç apo marrje jodemokratike të pushtetit. Gjithashtu ata akuzohen për spiunim dhe bashkëpunim me shërbimet sekrete.















