Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes kolonel Flamur Hadushit, ka sqaruar ngjarjen ku gjeti vdekjen major Sokol Feka në Spanjë, gjatë transportimit të një sasie të madhe lënde narkotike me avion. Hadushi tha se ngjarja ku gjeti vdekjen major Feka është një ngjarje e rëndë, e cila flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë që kemi ndërmarrë në të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura. Ai shton se është një ngjarje që flet po ashtu për rëndësinë e zbatimit të rregullave dhe procedurave për daljet jashtë vendit të personelit ushtarak si dhe nevojën që të rrisim më tej integritetin e të gjithë efektivëve tanë.
Megjithatë Hadushi tha se ky rast nuk mund të hedhë poshtë punën e personelit të Forcës Ajrore për realizimin e misionit të saj kushtetues, për sigurimin në bashkëpunim me NATO të sovranitetit ajror, të krijimit të kapaciteteve të vëzhgimit ajror, mbështetjen e strukturave të tjera të Forcave të Armatosura dhe veçanërisht në mbështetje të drejtpërdrejtë të popullit, në përballimin e emergjencave civile. “Gjatë kryerjes së këtij misioni, personeli i Forcës Ajrore, veçanërisht personeli pilot dhe teknik ka treguar shpirtin e vetëmohimit dhe sakrificës, duke sfiduar me profesionalizmin e tyre, kushtet ekstreme të motit, ditën, natën si dhe mbështetjen e trajtimin që ato kanë. Për kryerjen e këtij misioni ata angazhohen dhe zhvillojnë çdo ditë një program të ngjeshur fluturimi në përputhje me programet dhe standardet që aplikojnë vendet e NATO. Por po ashtu askush, nuk ka të drejtën morale të ngrejë gishtin e akuzës ndaj gjithë Forcave të Armatosura dhe efektivave të saj, për shkak se një pilot i efektivëve tanë u gjet i përfshirë në veprimtari të paligjshme jashtë kufijve të vendit”, u shpreh ai. Si ushtarak, kolonel Hadushi bëri thirrje që raste të tilla sporadike të mos përgjithësojnë punën e përditshme dhe sakrificat e personelit të Forcave të Armatosura dhe që askush, të mos keqpërdorë veprimtarinë tonë në funksion të trajnimit, stërvitjes dhe ruajtjes së gatishmërisë luftarake. Në mbyllje ai deklaroi se ky është reagimi i fundit i shtabit të përgjithshëm për këtë çështje.















