Nga Arben Manaj*
Të qenit gazetar ne dhe të huaj, e aq më tepër në një vend, ku ka një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh, s’ka sesi të mos jesh në dilemën e përhershme të balancimit të lajmeve të ashtuquajtura “të mira” dhe “të këqija” për komunitetin tënd.
Kjo ka qene shpesh tema e bisedave me mikun tim, autorin e këtij botimi, z. Petrit Kuçana. Ky ka qenë edhe sugjerimi im në zyrat e televizionit ku punoj; për një mbulim më ndryshe nga tradita që gjeta, ajo e mbizotërimit të kronikës së zezë në raportimet nga Londra.
Nuk të duhet të jesh shkencëtar hapësirë, siç thonë anglezët, të kuptoh se në komunitetin e shqiptareve të Britanisë, ka vlera të mëdha njerëzore, intelektuale, e profesionale që të bëjnë të ndihesh krenar për arritjet e tyre dhe integrimin e suksesshëm në shumë aspekte të jetës britanike, si në art, në kulture, në biznes e në profesione që lidhen me drejtësinë, e kështu me radhë.
Përndryshe perceptimit apo paragjykimit fiktiv, në mesin e shqiptarëve nuk ka vetëm anti-heronj, por edhe heronj, deri diku të heshtur sa për shkak të modestisë së tyre fisnike, aq edhe pse jo, edhe mëkatit të mbulimit mediatik tendencioz nga media, qofte britanike, qoftë edhe ajo shqiptare.
Pikërisht zhbalancimin i këtij fenomeni kërkon të arrij edhe ky botim modest dhe aspak shterues i “The Albanian”, e që do të pasohet edhe nga një emision televiziv i Top-Channel për shqiptarët e suksesshëm të Britanisë.
Komuniteti ynë është relativisht i ri në moshë, në kohë edhe pse gjithnjë e në rritje në numër. Por shqiptarët e suksesshëm janë të shumtë, shumë më të shumtë realisht sesa paraqiten në këtë botim, që besoj është vetëm i pari.
Emigrimi shqiptar drejt Britanisë së Madhe është i ri në kohë, nisur nga prurjet numerike, sidomos në mesin e 90-a të shekullit të kaluar, pasi përpara 21 vjetësh kur unë kam mbërritur në Londër për të punuar për BBC, pas konkursit të zhvilluar nga anglezët në Tiranë.
E në atë mot, shqiptarët në rrugët e Londrës, ishin specie e rrallë, edhe pse kishte një ose dy mijë shqiptarë të Kosovës të ardhur në vitet 80-a e disa syresh pak më herët.
Por zhvillimet e vrullshme në Shqipëri e lufta në Kosovë, çuan në përmasa të reja mërgimi drejt ishullit, një vend i cili për hir të së vërtetës u ofroi shqiptarëve, bujari të panjohur, e mundësira të paprecendenta punësimi dhe integrimi përkundër praktikave në disa vende të tjera të BE-së.
Këto shanse u përqafuan me entuziazëm nga shumica dërmuese e shqiptarëve të Britanisë, të cilët ndihen më të integruar dhe më të arrire se shumë bashkëkombës në ndonjë vend tjetër.
Kjo është padyshim edhe merita e tyre dhe jam i bindur se kushdo që do të lexojë faqet e kësaj reviste, do të shohë veten dhe do të inspirohet më shumë, për të qenë më të integruar në këtë vend parajse e mundësish të jashtëzakonshme.
Paralelisht jam absolutisht i bindur se botime të tjera do të pasojnë, pasi ka edhe shumë shqiptarë të ndershëm, punëtorë të talentuar që nuk rendin pas famës e reklamimit të arritjeve të tyre, por preferojnë më mirë të perfeksionohen e adoptohen sa më shumë me mënyrën britanike të jetesës dhe të të punuarit.
E nëse ky botim do nxisë identifikimin e sa më shumë shqiptarëve të tjerë të suksesshëm apo frymëzimin e sa më shumë shqiptareve të tjerë që të ecin në shembullin e këtyre shqiptarëve që flasin për rrugëtimin e tyre, në këtë botim, atëherë kjo do të ishte vlera më e madhe e këtij botimi.
*Parathenie e “Udhëtimi im”


















