Freedom House ka publikuar së fundmi raportin vjetor të lirisë, duke e renditur Shqipërinë në radhën e vendeve pjesërisht të lira. Në këtë raport, vlerësimi për Shqipërinë nuk ka ndryshuar në krahasim me Kosovën që përfshihet mes vendeve me demokraci elektorale dhe që ka shënuar përparim. Shkalla e vlerësimit për Shqipërinë vazhdon të mbetet e njëjtë, ku vendi ynë vlerësohet me 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi. Vlerësimi me 3 pikësh bëhet referuar sistemit matës me 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi përfaqëson dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive. Sipas “Freedom House” ky mosndryshim i vlerësimit të pikëve për Shqipërinë vjen si pasojë e problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave që janë ende në fazat e para. Sipas “Freedom House”, regjimi totalitar i Enver Hoxhës ka qenë më i rëndë se regjimet në vendet e tjera lindore, duke u bërë shkak për mugesën e përparimit. Raporti “Freedom House” nënvizon se qeveria e Ramës vlerësohet për statusin e vendit kandidat, për masat ndaj krimit të organizuar, për ligjin e ri për lirinë e informacionit dhe ligjet e ndërmarra për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat. Sipas “Freedom House”, shkak për mungesën e përparimit në Shqipëri janë bërë mosmarrëveshjet politike, bojkotimi i parlamentit nga opozita, mosndëshkimi i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. “Freedom House” shprehet se nëse Shqipëria synon Bashkimin Europian duhet që të intesifikojë përpjekjet.















