Komisioni për Sigurinë Kombëtare gjatë mbledhjes së tij miratoi kalendarin për periudhën kohore 26 janar – 10 shkurt 2015. Ndërsa një nga pikat më të rëndësishme të këtij plani është ai i raportimit që do të bëjnë përpara këtij komisioni ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, kreu i SHISH-it Visho Ajazi dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genci Gazheli.
Ky lajm u bë i ditur nga kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili deklaroi para mediave se janë të kënaqur me punën e policisë, por ka shumë çështje të sigurisë që duhet të diskutohen. Ndërsa në lidhje me paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë Braho u shpreh se me vullnetin e të dy palëve do të bëhet një rinegocim.“Pakti detar, kushdo që të jetë Kryeministër do të rinegociohet dhe kam përshtypjen se Syriza ashtu si edhe të majtët e tjera, këtë shprehjen radikal nuk e kuptoj se përse është fjala, do të jetë i bindur për këtë rinegociom në interes të zgjidhjes së këtij problemi që nuk është problem shqiptar, por është problem dy palësh. Të dyja vendet kanë interes për ta zgjidhur” tha Braho.
Në lidhje me sigurinë Sajmir Tahiri do të dalë përpara komisionit në datën 9 shkurt. “Seanca me Ministrin e Brendshëm do të bëhet për një raportim normal të tij. Janë disa raportime për të cilat komisioni thërret Ministrinë e Brendshme, Drejtorin e Përgjithshme të Policisë, Shërbimin Informativ, Drejtorinë e Pastrimit të Parave, lidhur me problematikën e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar që është një problematikë” tha Spartak Braho. Një ditë pas ministrit të Brendshëm, para komisionit të Sigurisë do të paraqitet kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika dhe më pas kreu i Policisë së Shtetit, Didi dhe Drejtori i Pastrimit të Parave, Genti Gazheli.
Sipas Brahos janë thirrur këto raportime para komisionit jo vetëm për zbulimin e arsenalit të madh të prodhimit të drogave, por edhe me ngjarje të tjera siç është përdorimi në aksione kriminale të eksplozivit, por edhe ngjarjet e Francës që kërkojnë një riangazhim drejt strukturave të sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar.















