Gjatë ditës së sotme, Ministri shqiptar i Transportit, Edmond Haxhinasto ka qenë i pranishëm në Kosovë ku është takuar me Ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku. Gjatë takimit me të, ministri Haxhinasto deklaroi se në fillim të shkurtit do të bëhet tenderi për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit”. Gjatë muajit Mars, pritet që të nisë puna për zgjerimin e rrugës dhe godinës së doganës së Morinës, e cila kap vlerën prej 600 mijë dollarësh. Ministri shqiptar u shpreh se po bëhet një punë e përbashkët për paketën me lehtësira për bizneset kosovare. Edmond Haxhinasto shprehu mbështetjen e Shqipërisë në aderimin e Kosovës me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare të transportit. Ai bëri të ditur edhe për fillimin e punës për studimin e fizibilitetit për lidhjen hekurudhore me Kosovën. Nga ana tjetër, Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku, tha se në një të ardhme të afërt, mundet që qeveria e Kosovës ta japë autostradën e Kombit, “Ibrahim Rrugova” me koncesion. Ministrat Haxhinasto dhe Zharku shprehën gatishmërinë për të punuar lidhur me marrjen e fondeve për ndërtimin e hekurudhës që lidh dy vendet dhe për të rikthyer në funksion lidhjen ajrore Prishtinë-Tiranë.















