Revista italiane “Limes” që merret me gjeopolitikën e Evropës i ka cilëuaar Kosovën dhe Malin e Zi si shtete mafioze, ndërsa Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën si shtete të paqëndrueshme.
Në hartën që ilustron tekstin “Italia në zemër të stuhisë”, Kosova dhe Mali i Zi përshkruhen si shtete mafioze, shkruan e përditshmja malazeze Vijesti, transmeton lajmi.net.
Stafi i revistës ka thënë se për cilësimet e tilla janë bazuar në të dhëna të burimeve të ndryshme, ndër të tjera dhe në burime të shtetit italian.
“Midis tyre janë institucionet italiane dhe të dhënat për tregtinë e paligjshme në Itali (kontrabanda e armëve dhe drogës), në të cilat, ndër të tjera, rajoni i Ballkanit, sidomos Kosova dhe Mali i Zi, janë identifikuar si nyje të rëndësishme”, ka qenë përgjigja e redaksisë së revistës italiane për gazetën “Vijesti” të shtetit malazez.
Për stafin e revistës, ky ka qenë vetëm një artikull ndër të shumtët, pasi kjo revistë ka shkruar edhe se Beogradi është qendra e trafikut që bëhet nga Lindja në Perëndim.
Po kjo revistë flet për lidhjet kriminale që kanë shtete si Turqia dhe Greqia dhe që lidhen më tej përmes Malit të Zi dhe të Kosovës dhe përfundon në Itali.
Sipas “Limes”, Mali i Zi është shtet nën ndikimin e fortë rus.
















