Ministri Tahiri, duke i’u referuar aksidenteve rrugore tha serregullat janë për sigurinë dhe nuk kufizojnë lirinë. Për të ulur numrin e aksidenteve rrugore, policia e Tiranës ka nisur një fushatë të gjerë edukimi, mbështetur nga misioni i ndihmës policore PAMECA. Ministri i Brendshëm u shpreh se sanksionet kanë rolin e tyre në minimizimin e aksidenteve, por kjo nuk mjafton.
“Nuk na falet të humbasim jetë njerëzish në rrugët e Shqipërisë. Rrugët tona janë më të sigurta, nëse i respektojmë rregullat.
Rregullat janë aty për të na bërë më të sigurt, jo për të na kufizuar lirinë”, deklaroi ai.
Tahiri i’u referua ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, teksa bëri me dije se roli i vetë shoqërisë duhet të jetë më i fortë.
“Sot hyn në fuqi sanksioni me gjobë të lartë. Por kjo është njëra anë, ana tjetër është edukimi. Sanksionet nuk mjaftojnë, nëse nuk bëhemi bashkë për t’i bërë rrugët më të sigurta.
Më pëlqen shprehja që u tha shpesh në Komisione kur diskutohej drafti ligjor: “Më mirë djali në shtëpi pa patentë, sesa patenta pa djalin”, shtoi ai.
















