Organizata studentore “Fryma e Re Studentore“ e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thekson se duke parë zhvillimet e fundit në vend është e indinjuar thellë nga deklaratat e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, i cili me deklaratat e tij nxitëse ka fyer rëndë nënat tona.
“Si Frymë Studentore i ftojmë të gjithë anëtarët e organizatës tonë, të gjithë studentët e universiteteve publike dhe private si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëngjiten në marshin paqësor të organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, më 20 janar në mënyrë që edhe njëherë të ju bëjmë me dije udhëheqësve të institucioneve kosovare se duhet shkarkuar të gjithë ata të cilët fyejnë të kaluarën e popullit tonë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate studentore.
Ata i bëjnë thirrje kryeministrit Isa Mustafa, që të reagojë.
“Kryeministër, është radha juaj të tregoni se po mbroni interesat e vendit tuaj!”, përfundohet në njoftimin e Fryma e Re Studentore.















