Rreth 2 mijë nënshkrime janë mbledhur që prej orës 11:00, kur ka nisur peticioni në Gjakovë për kallëzim penal ndaj ministrit përKthim dhe Komunitete,Aleksander Jabllanoviç.
Sheshet dhe rrugët e Gjakovës ishin të tejmbushura sot me qytetarë që protestonin kundër anëtarit serb të qeverisë së Kosovës që ditë më parë ofendoi publikisht gjakovarët.
Por a mjafton një peticion për të shkarkuar ministrin serb të Republikës së Kosovës? Kjo mbetet për tu parë.
Ja teksti i peticionit:
“Kallëzim penal kundër Aleksandër Jabllanoviqit, ministër për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për arsye se me datë 06.01.2015, me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, në deklaratën e tij në televizione publike ka ofenduar rëndë banorët e Komunës së Gjakovës, pa cilësuar me emër ndonjërin i ka quajtur egërsira.
Me këtë rast, Aleksandër Jabllanoviq më ka fyer edhe mua si banor i Komunës së Gjakovës, prandaj duke na fyer publikisht ai ka kryer vepër penale sipas Nenin 147, paragrafit 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ka shkelur Nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
















