Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se ministri për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jablanovic, nuk është i pamatur. Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shkruar se Jablanovic është bartës i politikës fashiste të Serbisë në Kosovë.
“Jablanovici nuk është i pamatur, por bartës i politikës fashiste të Serbisë në Kosovë – asaj politike që e njohim mirë e që disa herë tentoi që përmes gjenocidit ta zbrazë Kosovën nga shqiptarët për ta kolonizuar e eksploatuar atë”, ka shkruar Ymeri në rrjetin social Facebook.
Ndryshe gjatë ditës së sotme është zhvilluar një protestë para ministrisë për Komunitete dhe Kthim ku protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanovic i cili një javë më parë i kishte quajtur “egërsira” familjarët e të pagjeturve, të cilët po protestonin në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serb për të kremtuar Krishtlindjet Ortodokse.
Ndërkohë, po gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një konference për media e ka komentuar deklaratën e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanovic, të cilin e ka quajtur të të pamatur.
















