Partia Demokratike denoncoi atë që e quajti shpërdorim pushteti dhe fondesh publike nga Kryeminsitri Edi Rama. Drejtuesi i Departamentit Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në Partinë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se Kryeministri ka hedhur 429 milionë lekë për të gjelbëruar rrugën që të çon tek shtëpia e tij e re në Surrel. Ai tha se ky akt i rëndë i abuzimit dhe i dërgimit të buxhetit të taksave të qytetarëve sipas preferencave personale, është dëshmi e Shqipërisë paralele të Kryeministrit, pa asnjë kontakt me realitetin e thellimit të varfërisë, të mungesës mungesës së vendeve të punës, të rritjes së taksave e cmimeve dhe kostos së jetesës. Salianji, e konsideroi këtë vendim, si një masë për të rritur luksin e tij personal, në kohën që shqiptarët po vuajnë çdo ditë e më shumë varfërinë e thellë.
“Po ju paraqesim sot një dokument, një vendim i cili tregon se si në mënyrë klienteliste dhe në mënyrë preferenciale shkojnë fondet publike të kësaj qeverie. Me vendimin numër 17 të datës 19 Nëntor 2014, Kryeministri dhe qeveria kanë dhënë 429 milionë lekë për gjelërimin anësor të rrugës së Surrelit që është edhe shtëpia e Kryeministrit. Meqënëse Kryeministri do të vijë në Janar në shtëpinë e re, në nëntor ka sjellë 429 milionë lekë për gjelbërim. Dhe siç e shihni, kjo zonë nuk është një zonë që nuk ka gjelbërim por kjo shërben që Kryeministri të ndërtojë Shqipërinë e tij nga zyra në shtëpi”, tha Salianji. Në vijim ai tha se sot Shqipëria është më e varfër dhe shqiptarët janë më të papunë. Në këtë linjë ai shtoi se shqiptarët paguajnë më shumë taksa, paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë dhe se heqin bukën e fëmijëve dhe familjes për ta paguar taksat dhe çmimet e rritura për këtë qeveri. Në këtë linjë Salianji tha se, “Dhe qeveria çfarë bën? Nuk i çon fondet publike për të rritur punësimin. Nuk i çon fondet publike aty ku sillet zhvillim. Por i çon fondet publike për të ndërtuar një Shqipëri paralele, një Shqipëri të luksit që nis nga zyra e Kryeministrit dhe ministave dhe përfundon tek shtëpia personale e Kryeministrit”
















