Çështja e emrit të Maqedonisë ka ngjallur debate mes partive në Greqi, para zgjedhjeve e ardhshme parlamentare në vend. Partia më e madhe opozitare Syriza, e cila është favoritja kryesore në këto zgjedhje, ka hedhur akuza ndaj Demokracisë së Re lidhur me emrin e Maqedonisë.
Kandidati për deputet i Syrizas, Panajotis Haxhisavas, akuzoi deputetin e Demokracisë së Re Lazarus Xhavdaridis se ka memorien e peshkut të artë dhe “për fat të keq tregon harresë të papranueshme politike edhe për çështje serioze”.
“E pavërteta e fundit është përfshirje e rastësishme e çështjes së kontestit për emrin në zgjedhje, për të cilën edhe tenton tia heq përgjegjësinë ku tjetër vend, nëse jo Syrizas. Në vend që ta akuzojë Syrizan, deputeti duhet ta drejtojë zjarrin drejt liderit politik Samaras, aventura politike e të cilit na soli në qorrsokakun e tanishëm ku gjendet çështja për emrin e Shkupit, respektivisht që mbarë bota IRJM-së t’i drejtohet me Maqedoni dhe Greqia ende për fat të keq sot lut që të pranohet emri i përbërë që Samarasi si ministër i Punëve të Jashtme e refuzoi”, thotë Haxhisavas.
Një tjetër kandidat për deputet i Syriza, Mihalis Tremopulos, i bëri gjithashtu thirrje Samarasit lidhur me çështjen e emrit.
“Lënda për emrin do të mbyllej që në vitin 1992 edhe atë me pajtim të gjithë asaj që sot e kërkon politika zyrtare greke”, tha Tremopulos. Ai theksoi se Samaras atëherë “ka minuar kompromisin real me përdorimin e frikës dhe nacionalizmit si vegla për përfitime personale dhe politike”.
















