Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se bën propagandë boshe lidhur me lirinë e shprehjes. Zëdhënësja e PD, Oriela Nebiaj deklaroi nga selia blu se vetëm fjalë vijnë nga Edi Rama, i cili shpenzoi më shumë se një orë me një propagandë që është krejt e kundërta e akteve të tij konkrete, e sjelljes së tij në realitet, e kursit që ndjek.
“Më shumë se një orë predikoi lirinë e shprehjes, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar apo për t’u distancuar nga kërcënimi që i është bërë kryetarit të opozitës, pikërisht për fjalën. Predikon lirinë e shprehjes ndërkohë që përgenjështron vetën e tij në çdo hap që hedh. Edi Rama është ai që organizoi goditjen fizike ndaj deputetit të opozitës, pikërisht ngaqë nuk përballon lirinë e shprehjes.
Është ai që frymëzon kërcënimin me jetë të përfaqësuesve të opozitës, sepse ai nuk e duron dot lirinë e shprehjes. Ndaj ka sjellë në administratë, zyra e deri në parlament, persona të inkriminuar, ata që janë errësira, e kundërta e lirisë së shprehjes. Ndaj Edi Rama ofron lehtësi e favore qeveritare për banditë të cilët lirinë që e kanë të sigurta nga qeveria, e shfrytëzojnë për të kërcënuar fjalën e lirë”, u shpreh Nebiaj. Sipas saj, me Edi Ramën liria e të shprehurit po zëvendësohet nga presioni i gjithanshëm ndaj mediave, zërave kritikë e shoqërisë civile, duke shtuar se pikërisht sot në ditën e predikimit të tij të gjatë u dhunua një gazetar investigues vetëm 50 metra larg dyerve të komisariatit. Zëdhënësja e demokratëve deklaroi se këto janë ngjarje që lidhen direkt me përgjegjësinë e Edi Ramës, e për të cilat ai nuk mban asnjë përgjegjësi.
Nebiaj shtoi më tej se propaganda dhe tjerrja pa fund e fjalëve për tema të tjera, janë një kostum që i rri shumë gjërë kryeministrit dhe janë një përpjekje e dëshpëruar për t’u fshehur nga realiteti i zymtë e lirisë së shprehjes që ai ka krijuar. “Ndaj sa herë që Edi Rama të flasë për lirinë e të shprehurit, është e sigurtë audienca e telenovelave të pasdites. Ai nuk bind më askënd dhe qytetarët nuk harxhojnë asnjë dekikë të jetës së tyre plot halle për retoriken boshe e të tejfryrë të kryeministrit”, tha në mbyllje të fjalës së saj Nebiaj.
















