Gjatë orëve të pasdites së të dielës ka mbërritur në Tiranë ambasadori i ri amerikan në vendin tonë, Donald Lu.
Në një postin në “Facebook” ambasada Amerikane në vendin tonë publikoi një foto të momenteve të para në Shqipëri të ambasadorit të ri. “Bashkohuni me ne dhe t’i urojmë mirëseardhjen Donald Lu”, shkruhej në profilin e ambasadës.
Dy ditë më parë ambasadori u prezantua për popullin shqiptar me anë të një video mesazhi, nga ku ai flet me një shqipe gati perfekte, të mësuar gjatë kohës së pritjes për t’u aprovuar nga Senati amerikan.
“Mirëdita, quhem Donald Lu dhe jam shumë i gëzuar që Presidenti Obama më ka zgjedhur mua si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Si shumë amerikanë, edhe unë jam djali i një emigranti. Babai im erdhi në Amerikë nga Kina dhe ka punuar shumë për t’u dhënë fëmijëve të tij mundësi, që ai vetë nuk i ka pasur kurrë. Ajo ishte ëndrra e tij amerikane. Unë e di që t’u sigurosh një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë është një ëndërr, që amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njëri-tjetrin”, është shprehur ambasadori Donald Lu.
Pjesën e fundit të videomesazhit, ambasadori Lu ia dedikon asaj çfarë kërkon të arrijë së bashku me popullin shqiptar.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta, por gjithashtu kemi edhe shumë gjëra për të bërë së bashku. Pres me kënaqësi t’iu takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj mendimet tuaja për ato që mund të arrijmë bashkë. Mirupafshim dhe shihemi së shpejti”, përfundon prezantimin e tij Donald Lu.
















