Presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar pas arrestimit të një serbi, makina e të cilit u gjet e mbushur me lëndë eksplozive në lagjen “Arbëria”.
Jahjaga tha se ky rast është një dyshim i pastër për terrorizëm dhe shtoi se fton të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.
Lexojeni të plotë reagimin e Jahjagës
Sot kam takuar Kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
Falënderoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrisin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.
Njëkohësisht, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë aktterrorist para drejtësisë.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet.
















