Policia Federale e Gjermanisë po vazhdon të kapë kosovarë pa dokumente valide. Policët e angazhuar për ndjekjen e kontrabandës me qenie njerëzore, në trenin që udhëton nga Salzburgu në Munih kanë ndaluar 21 shtetas kosovarë, dy prej të cilëve fëmijë.
Asnjëri prej tyre nuk posedonte dokumente të vlefshme qëndrimi në Gjermani.
Vetëm pak orë më parë, policët kishin kontrolluar në një tren nga Austria, me ç’rast kishin gjetur një grup prej shtatë personash po ashtu nga Kosova, të cilët nuk kishin viza qëndrimi në Gjermani.
“Një pjesë e personave të kapur nga policia do të detyrohen ta lëshojnë Gjermaninë pasi që, sipas policisë, ata tashmë kanë bërë një kërkesë azili në Hungari”, thuhet në një komunikatë të Policisë Federale të Gjermanisë.
Ata që kërkesën për azil e kanë bërë për herë të parë në Gjermani, janë dërguar në qendrën e pranimit të azilkërkuesve.
Ndryshe, përpjekjet e ministrit të ri të Integrimeve Evropiane, Bekim Qollakut për të luftuar dukurinë e migrimit ilegal, po shihen me shumë skepticizëm.
Qollaku në emisionin Interaktiv foli për dy propozimet e tij të cilat po shihen si mundësi që do të ndikonin në parandalimin e migrimit ilegal.
E para ishte ideja që qeveria të fillonte bisedat me shtetet e BE-së dhe Shengenit për arritjen e një marrëveshje për t’u mundësuar punë sezonale kosovarëve. Por zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se Kosova asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje ndërshtetërore me ndonjë nga vendet e BE-së për dërgimin e kosovarëve për punë sezonale.
Madje kjo po shihet si vështirë e realizueshme pasi që kushti i vetëm për të arritur këto marrëveshje është që Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së. Sipas Lekës, kjo ministri ka pas disa marrëveshje me shtetin gjerman dhe zviceran për dërgimin e disa studentëve, mirëpo kjo e tëra ka mbetur vetëm në kuadër të disa bashkëpunimeve të mirëkuptimit.
Madje as propozimi tjetër i ministrit të ri për krijimin e një task force për parandalimin e dukurisë së migrimit ilegal nuk po duket si zgjidhja adekuate e problemit.















