Se Kosovës i duhet të krijoj një Gjykatë të Specializuar e ka ritheksuar sot edhe njëherë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Ai, u takua sot me të gjithë ambasadorët e ambasadave që operojnë në Kosovë, të cilëve u tha se Kosovës i duhet të krijojë një Gjykatë të Specializuar që do të ketë një dhomë në një vend europian për të siguruar hetime transparente dhe të besueshme lidhur me aktakuzat e mundshme që mund të rrjedhin nga puna e Task Forcës Speciale Hetimore që u morën me akuzat e paraqitura nga Dick Marty.
Sipas Thaçit, Kosova ka bashkëpunuar me institucione të shumta të instrumenteve të drejtësisë në periudhën e pasluftës, nga Tribunali i Hagës e deri te misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, dhe sipas tij, duhet të vazhdojë të punojë me instrumentin e fundit ligjor ndërkombëtar për të përfunduar kapitullin e dhimbshëm të luftës së 1999.
Në një publikim që ka bërë në facebook, Hashim Thaçi, ka përmendur edhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila sipas tij është komponenti më i rëndësishëm i reformave tona të brendshme dhe të jashtme.
“Kosova është në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes së parë formale me BE-në dhe është thellësisht në procesin e zbatimit të kushteve për liberalizimin e vizave me komunitetin Schengen, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu me fqinjët do të jenë në ballë të kritereve të Kopenhagës që ne duhet t’i përmbushim. Ne presim që Kosova të nënshkruan MSA-në gjatë pjesës së parë të vitit 2015. Ju rikujtoj që marrëveshja historike e Brukselit e vitit 2013 është investim i qeverive dhe shteteve tona që të përmbushim nevojat e normalizimit dhe tensionimit të situatës në Ballkan por edhe si pjesë esenciale e integrimeve evropiane. Serbia tashmë ka marrë kandidaturën dhe është fare e natyrshme që Kosova ta nënshkruan MSA-në në mënyrë që përfitimet konkrete politike por edhe praktike dhe ekonomike të jenë proporcionale dhe konform pritjeve dhe obligimeve të përmbushura nga dy palët”, shkruan Thaçi në facebook.
Thaçi, po ashtu ka përmendur edhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si një forcë e vogël vendase jo-ofensive që do të jetë e aftë të zbatojë detyrat në bazë të Kushtetutës dhe nën kontroll të plotë civil.
“Krijimi i Forcave të Armatosura si një komponent multietnik i Kosovës dhe i arkitekturës rajonale të sigurisë do të bazohet në Rishikimin e Strategjisë së Sigurisë e cila u zbatua në bashkëpunim me partnerët e NATO-së. Krijimi i FAK-ut është gjithashtu një parakusht i Kosovës për t’u bashkuar programit të Partneritetit për Paqe. Nisja i lidhjeve të para formale juridike ndërmjet Kosovës dhe NATO-së do të jetë prioritet dhe modalitetet janë duke u gjetur për të siguruar një plan për këtë zhvillim, në përputhje me punën e bërë për të ndihmuar Kosovën të krijojë lidhje politike me BE-në”, ka shkruar Thaçi.
Si çështje e rëndësishme për Kosovën, Thaçi, ka thënë të jetë edhe vazhdimi i mëtutjeshëm i njohjeve të tjera dypalëshe dhe shumëpalëshe.
“Deri tani kemi arritur rezultate të konsiderueshme mbi gjysmën e OKB-së tani njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. 108 njohje janë pranuar deri tani nga të gjitha anët e botës, ndërsa pasaporta e Kosovës dhe dokumentet personale janë njohur nga mbi 170 shtete në mbarë botën. Duke u siguruar që Kosova është pjesë e organizatave shumëpalëshe në nivel rajonal dhe global është gjithashtu kritike për funksionimin e Kosovës në botën e ndërlidhur”, ka shkruar Thaçi.















