Dardan Islami
Bota e errët e shërbimeve vështirë se mund të zbardhet pa kaluar njëzetepesë vjet, apo edhe më tepër, varësisht nga sensitiviteti i informacioneve.
Qëllimi i shërbimeve informative është mbledhja e informatave, analizimi i tyre dhe përfundimisht dorëzimi i tyre institucioneve përkatëse, shpeshherë edhe këmbimi i tyre me shërbimet e tjera mike!
Në Kosovë pas vitit 1999 kanë funksionuar dy shërbime vendore, Shërbimi Informativ i Kosovës, SHIK, i dalë nga UÇK- dhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, i afërt me PDK-në, dhe po ashtu Sigurimi i atdheut SIA e cila funksiononte me bekimin dhe nën ombrellën e Presidencës së atëhershme, e afërt me LDK-në.
Të dyja këto shërbime, edhe pse klandestinë, vepronin haptas në bashkëpunim me shërbimet e huaja dhe njëkohësisht po spiunonin njëra-tjetrën. Në atë kohë në territorin e Kosovës vepronin edhe pesë agjenci informative policore dhe ushtarake serbe, të cilat kishin një rrjet të madh informatorësh.
Roli i SHIK-ut mbetet i shenjtë, gjersa ekzistenca e domosdoshme, kur kemi parasysh rrethanat e të cilat po vepronte, periudhe kjo e transicionit nga një pushtet okupues në institucionet e sapoformuara demokratike. Ketë periudhë të pasluftës, Kosova megjithatë e kaloi pa tundje të mëdha.
Edhe pse dhjetëra vrasje mbetën të pazbuluara, sikur ta krahasojmë me gjendjen e atëhershme në Serbi ku shërbimet e shtetit atje të lidhura drejtpërsëdrejti me krimin e organizuar, vranë edhe kryeministrin e atëhershëm serb, na del se tranzicioni në Kosovë ishte megjithatë më i lehtë dhe situata nën kontroll, falë angazhimit dhe koordinimit të SHIK-ut dhe agjencive perëndimore.
Edhe gjatë konfliktit në Maqedoni, por edhe gjatë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, SHIK-u ka luajtur një rol kyç në mbledhjen e informacioneve dhe shkëmbimin e tyre me shërbimet e huaja aleate, duke kontribuar në stabilitetin e gjendjes së sigurisë.
Detyra e të dy shërbimeve vendore ka qenë që të infiltrojnë sa më shumë informatorë të cilët do të parandalonin ndonjë akt terrorist apo antikushtetues në territorin e Kosovës.
Në vitin 2008 SHIK-u zyrtarisht edhe shpërbëhet ku pjesëtarët e këtij shërbimi, (ende numër i panjohur), u sistemuan në institucione shtetërore dhe publike, sipas një marrëveshjeje e cila u garantonte sistemim dhe rehabilitim.
Pas vdekjes së presidentit Rugova më 2006 edhe SIA pushoi se funksionuari. Të dy këto shërbime u trashëguan nga Agjencia Informative e Kosovës (AKI).
Përçarjet mes këtyre dy krahëve ishin dhe mbeten të thella si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, por edhe gjatë koalicionit të vitit 2007. Përçarjet u bartën edhe në polici, edhe në institucionet tjera tash e pesëmbëdhjetë vjet dhe po vazhdojnë edhe gjatë kësaj qeverisje të koalicionit.
Kërkesa e grupit parlamentar të LVV-së për hetim parlamentar është kërkesë legjitime, por njëkohësisht është hetim selektiv. Ligji i lustrimit apo modelet nga vendet tjera që kanë kaluar në ketë proces, na kanë mësuar se rreziku i këtij ligji është pikërisht hakmarrja politike, pra qasja e LVV-së është plotësisht e gabuar kur kemi të bëjmë me një çështje sensitive si kjo, çështje e cila do të duhej të rregullohej me ligj. Ky ligj duhet t’i hetojë të gjithë ata persona të dyshuar dhe ato shërbime, por assesi vetëm njërën palë.
Të mos harrojmë se SHIK-u doli nga UÇK-ja, nga bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli, dhe po i shërbente vendit atëherë kur po i duhej më së shumti, dhe se asnjëherë nuk u dyshua për rrjedhje të informacionit qeverisë së Beogradit.
Kjo nuk mjafton që ata dhe të tjerët të jenë mbi ligjin. Gjatë periudhës së administrimit të Kombeve të Bashkuara, në Shërbimin Policor të Kosovës dhe në gjykatat e Kosovës zunë vend policë dhe hetues që kishin punuar në policinë dhe gjyqësinë serbe deri më 1999.
Hetimi gjithsesi se mund të gjejë ndonjë parregullsi për ish-pjesëtarët apo individë që janë thirrur në emër të këtij institucioni, por vetë ekzistenca e tij për nëntë vjet në rrethana shumë të vështira, mbase do të dëshmojë edhe misione të suksesshme, të cilat opinioni i gjerë nuk i di, apo di shumë pak.
Përpjekjet për ta demonizuar dhe fajësuar SHIK-un si fajtore kujdestare nuk janë të dobishme për shoqërinë tonë. Të gjithë i kemi të freskëta në kujtesën tonë incidentet e shumta ku agjentura të huaja u zunë në territorin e Kosovës, në operacione sabotuese me skenarë që do të linin gjurmë, që do të dukeshin sikur ato vepra u kryen nga shqiptarët shumicë
. Është koha të paraqiten fakte në gjykatë, ashtu siç bëri Shpend Ahmeti, gjersa niveli i “kamishëve” dhe i “suxhukëve” në Parlamentin e Kosovës, tashmë duhej të ishte i tejkaluar.
















