Lideri i Vetëvendosjes është shprehur se koalicioni i ri që ka marrë qeverisjen e Kosovës është një koalicion antikombëtar që punon kundër interesave të kombit shqiptar.
Kurti tha se strategjia politike e bashkimit kombëtar është shndërruar në strategjinë politike të Hashim Thaçit për të mbajtur pushtetin sa më gjatë.
“Marrëveshja shqip e 10 shtatorit për një kurs të ri të shtetit të Kosovës, u zëvendësua me marrëveshjen serbisht të 9 dhjetorit për kursin e vjetër që e lë Kosovën pa republikë. Prandaj, pikërisht tash që u zgjidh kriza institucionale u intensifikua emigrimi i shqiptarëve nëpër Serbi për në BE. Ashtu siç ka thënë Lëvizja jonë, u vërtetua që problemi nuk ka qenë kriza institucionale por institucionet me orientim e udhëheqje të mbrapshtë”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, Isa Mustafa ka tre shefa që janë Thaçi, Veseli dhe Jabllanoviçi.
“Këta tre shefa përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit: Krimin mafioz, në shërbim të interesave të errëta të huaja, që e ka bërë Kadri Veseli dhe organizata me të cilin PDK-ja e ka marrë pushtetin dhe e ka ndërtuar kapjen e shtetit, pra SHIK-u; kKrimin nacional-shovinist, të përfaqësuar nga Jabllanoviqi, i cili selinë e vërtetë e ka në Beograd, prej nga u sajua Lista Serbe porsi një formacion çetnik; krimin kombëtar, përfaqësuar nga Hashim Thaçi, i cili e transformoi UÇK-në, për ta shuar edhe TMK-në, i cili e zëvendësoi bashkimin kombëtar me pavarësinë e Ahtisaarit që sot e negocion me Serbinë, dhe i cili ekonominë kombëtare e mirëqenien shoqërore ia nënshtroi privatizimit të egër dhe padrejtësisë së gjykatave të korruptuara”, vlerësoi Kurti.
Albin Kurti theksoi se Kosova ka dy sëmundje kronike, të cilat janë: pazaret me Serbinë përmes dialogut dhe privatizimin neoliberal që quhet tranzicion.















