Gjykata Kushtetuese ka pranuar sot kërkesën e Kuvendit, për të shtyrë shqyrtimin e padisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e dy anëtarëve Elvis Cefa dhe Lulzim Lelcaj.
Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesit e Kuvendit kërkuan shtyrjen e shqyrtimit për shkak se kërkohet angazhimi maksimal i tyre në mbledhjen e parlamentit, ku do të miratohen disa ligje me shumicë të cilësuar. Nga ana e tyre dy anëtarët e shkarkuar të KLD-së, Çefa dhe Lelcaj, kanë bërë kërkesë të jenë të pranishëm në Kushtetuese në cilësinë e personave të interesuar. Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca të zhvillohet më 27 janar.
Tre ditë më parë gjykata rrëzoi një amendament të mazhorancës në ligjin e KLD-së që shërbeu si bazë ligjore për shkarkimin e dy anëtarëve te zgjedhur nga parlamenti dhe zëvendësimin e tyre me Vangjel Kostën dhe Albana Shtyllën.
















