Vetëm një ditë pas publikimit të atij që, nga selia e PD-së e quajnë publikim të aktit korruptiv duke vënë nën akuzë Ministrinë e Mjedisit, ku i biri i tenderonte të atit 1,2 milionë dollarë, ka dalë sërish në konferencë për shtyp zëdhënësja e kësaj partie, e cila akuzoi këtë të diel dyshen Rama-Meta, se po sulmon opozitën për transparencën që i bën qeverisjes së tyre.
“Fakt është se forma e korrupsionit, që kanë instaluar Edi Rama dhe Ilir Meta, është e denjë për rekord Guinness. 1,2 milionë dollarë, që i biri, shef i madh te Ministria e Mjedisit, ia tenderon të atit të tij, që zotëron një kompani fidanësh, është fakt i dokumentuar te buletini zyrtar”, shprehet zëdhënësja e PD-së, Nebijaj.
Por shqetësimi më i madh për qytetarët dhe opinionin publik, sipas drejtuesve të selisë blu, nuk është zbulimi i faktit, por ata janë edhe më shumë të tronditur nga reagimi i dyshes Rama-Meta.
“Edi Rama nga njëra anë e pranon që kjo ka ndodhur dhe del e sulmon opozitën. Papagalli është kthyer në institucion, i njëjti refren. Asnjë përgjegjësi për këtë akt skandaloz, vetëm tymnajë politike. Por publiku nuk çoroditet nga kjo, fakti mbetet. 1,2 milionë dollarë, i biri drejtor ia tenderon babait biznesmen. Në anën tjetër, në një garë absurde se kush duket më qesharak, Meta me Ministrinë e Mjedisit e pranon gjithashtu, por thotë se këto tendera me miliona euro nuk i bën ai, por vartësit në rrethe, që qenkan edhe të pavarur”, deklaroi Nebijaj.
Në fund, duke vijuar me akuzat se dyshja oligarke e milionave, Rama-Meta, po ndajnë taksat e shqiptarëve në tavolinat e miqve nëpërmjet një skeme të pastër korruptive, e cila është edhe arsyeja e vetme e ekzistencës së tyre – siç deklarohet nga PD – Nebijaj nuk ka harruar të përmendë se populli është në këmbë, gati për të protestuar kundër pasurimit të dyshes Rama-Meta dhe klientelës së tyre.















