Ministri i Industrisë Damian Gjiknuri ka njoftuar sot, “frytet” e para të operacionit të Qeverisë kundër abuzimit me energjinë elektrike. Sipas tij, të dhënat kanë rrëzuar pretendimet se qytetarët nuk kanë të paguajnë, pasi ata kanë nisur të paguajnë në masë që në momentin kur panë shtetin në veprim.
“Deri më 8 dhjetor 2014, janë nënshkruar 7100 kontrata të reja energjie dhe humbjet janë ulur me 15% krahasuar me vitin e kaluar, deklaroi Gjiknuri, ç’ka do të thotë se njerëzit kanë filluar të reagojnë dhe të ndërgjegjësohen se kur shteti vepron me drejtësi, ligji është njësoj për të gjithë. Në nëntor të këtij viti, humbjet arritën në në 32% nga 47 % që ishin nëntorin e 2013-ës. Unë jam modest, – pranoi Gjiknuri, – por këto janë masa të prekshme në një situatë të vështirë.”
Miratohet kredia e re prej 150 milionë USD për sektorin elektroenergjitik
Në vazhdim, ministri mbrojti nevojën për të miratuar një kredi të re prej 150 milionë USD për sektorin elektroenergjitik nga Banka Ndërkombëtare për indërtim dhe Zhvillim, e cila konsiderohet si hapi i parë i rëndësishëm që në vitin 2018, sektori elektroenergjitik shqiptar të mos jetë më barrë, por të dalë me fitim.Ky projektligj u votua me 72 vota pro në përfundim të seancës.
Gjiknuri tha në fjalën e tij se me ligjin e ri për energjinë elektrike, procedurat për investitorët e huaj që do të duan të investojnë në të, janë lehtësuar. Nuk ka më fatura të fshehura, që ata të përballen me rriskun. Ngritja e skemave të tipit “të rregulluara” nuk mund të vazhdojnë, sepse këto skema kanë barrë të rëndë financiare, kanë dështuar. Në fazën e parë ne do të bëjmë investime në energjitikë dhe më pas garantojmë investime afatgjata në të.”
“Nis shlyerja e detyrimeve ndaj HEC-eve private,paguhen 4 milionë USD”
Po ashtu, ministri njoftoi se “kemi filluar sot pagesat e para për HEC-et e para private. Janë disbursuar 4 milionë USD dhe “gropën” e krijuar prej 64 milionë USD do ta mbyllim që këtë vit.”
BRAÇE: PARA MBLODHI DHE BERISHA, POR IA DHA 5 KLIENTEVE TE TIJ
Në Kuvend e ka marrë fjalën edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili theksoi që në krye se po rikthehet kultura e pagesave të energjisë, por “kjo nuk është hera e parë që po mblidhen para nga energjia. E ka bërë edhe Sali Berisha në dy vitet e fundit të qeverisjes, tha Braçe. – Kreu i ri i opozitës, Lulzim Basha po përcjell mesazhin e qartë tek qytetarët që mos e paguani energjinë elektrike, se nuk keni para.
Është i njëjti mesazh që iu përsërit një kategori të caktuar gjatë fushatës elektorale dhe që sot vazhdon të jetë kategoria më e madhe debitore.
Unë dua ta sjell në vëmendje këtë fakt pozitiv për ata qytetarë që nuk e dëgjojnë opozitën dhe po zënë radhët për të paguar energjinë elektrike.
Ky operacion, që sot po kontestohet nga opozita e Bashës, nuk është për herë të parë. Në dy vitet e fundit, ka qënë Berisha ai që krijoi sëbashku me CEZ-in, një rrjet të grumbullimit të të ardhurave. Ndryshimi me sot është e ku shkojnë këto para. Paratë e tij shkuan tek kompanitë që grumbullonin borxhet e këqia, kurse sot në arkat e kompanisë, jo në arkat e 4-5 klientëve të Berishës, që merrnin gati 50% të faturës për atë që mblidhnin si shpërblim, – theksoi ai.
Në përfundim, Kuvendi miratoi me 72 vota pro, tri projektligje:
“Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin
e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike”;
“Për Autoritetin e Aviacionit Civil”;
“Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Hungarisë për shkëmbimin dhe
mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar”.















