Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit I. K., inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), për marrje të ryshfetit. Ai është dënuar me 10 muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro. Kurse, për ndihmë në marrjen e ryshfetit, i akuzuari N. H. Është dënuar me 8 muaj burgim dhe 500 euro.
I.K me datë 10.12.2013 rreth orës 14:00 minuta, në cilësinë e personit zyrtar – Inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranon dhuratë në shumën prej 2.000 Euro, nga i dëmtuari L. B., me qëllim t’ia mundësoj barazimin e stoqeve të kompanisë së tij, ashtu që pas bastisjes së Policisë së Kosovës në Gjilan, paratë gjenden në xhepin e të akuzuarit I. K. të cilat edhe i merren dhe sekuestrohen.
“Ndaj të akuzuarit N. H. shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajve dhe dënimi me gjobë në shumën prej 500 Euro, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, në afat prej dy vjetëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë. I akuzuari N. H., shqiptar, Shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjilan, ka kryer veprën penale, ndihma në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, nga neni 33 paragrafi 1 lidhur me nenin 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Pasi që i njëjti me datë 10.12.2013 rreth orës 14:00, me dashje ka ndihmuar personin zyrtar – të akuzuarin I. K. për realizimin e përfitimit material në shumën prej 2.000 Euro. Të akuzuarit I. K. ka për të ju llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndryshe, palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
















