Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, ka mbetur e zhgënjyer nga dënimi me vetëm dy vjet burg, dhënë Agron Canes, aktivistit të PS-së në zyrën e deputetit Koço Kokëdhima në Sarandë.
Për këtë arsye, ajo garanton se do t’i bëjë thirrje KLD-së, të inspektojë me urgjencë, të gjitha vendimet e gjykatave të kësaj natyre.
“Po përsëris kërkesën që i kam paraqitur Këshillit të Lartë të Drejtësisë në 20 gusht, – shkruan Bregu në Fb, – për të nisur me urgjencë inspektimin tematik mbi vendimet e gjykatave për rastet e dhunës me bazë gjinore dhe veprave penale kundër fëmijëve, siç është rasti i Agron Canes, që kërkonte seks me të mitur! Nesër po e rikujtoj përseri KLD-në! Dhe jo vetëm!”
Bregu, nisur nga ky rast, sjell në vëmendje faktin: “Kur para dy vitesh propozova ashpërsimin e Kodit Penal për dhunën në familje e ndaj të miturve, besova se me paketën e ashpërsimeve të këtyre veprave, sistemi i drejtësisë do të kishte atë që i mungonte ligjërisht, masat më të rënda e përfshirjen si vepra penale të krimeve që paraqiten edhe me forma të reja siç ishte përndjekja e ngacmimi seksual.
Por jo! Vetëm 2 vjet burg sot për Agron Canen, sekretarin e deputetit rilindas Koço Kokedhima! Pas kërkesës së Prokurorisë, aktivisti i PS-së u akuzua për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”. Të dyja veprat penale parashikojnë dënimin sëbashku me minimumi 5 vjet e maximumi, 9 vjet heqje lirie!” – shprehet Bregu.
















