Në momentin kur opozita ka bojkotuar Parlamentin për shkak të dhunës së ushtruar nga mazhoranca, OSBE-ja ka hartuar dokumentin që synon të zbusë dhe të edukojë parlamentarët sherrxhinj brenda partive politike. Edhe pse dokumenti i Kodit Etik u është dorëzuar krerëve të grupeve parlamentare që në muajin shtator, ai është lënë në heshtje, dhe tashmë do kalojë për diskutim në Kuvend.
Sipas draftit të OSBE-së, deputetëve do t’u ndalohet përdorimi i telefonisë celulare në ambientet e sallës së Parlamentit. Për fyerje dhe sharje mes ligjvënëseve, kodi i referohet rregullores ku parashikohet përjashtimi deri në 10 ditë dhe sanksione financiare.
“Deputeti nuk duhet: të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; të pengojë ose të cënojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër; të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend”, – thuhet në nenin 9 të këtij projekt-kodi.
Gjithashtu në këtë Kod Etike është përcaktuar që deputetët, në rast se do t’ju japin dhurata për shkak të detyrës, duhet t’i refuzojnë ose do t’i përdorin për qëllime të Kuvendit. Është parashikuar Byroja e Kuvendit të autorizojë publikimin e shpenzimeve financiare të kryera nga Kuvendi për deputetët në faqen zyrtare të internetit çdo dy muaj. Kodi pritet të diskutohet në komisione dhe më pas të miratohet në seancë plenare.















